Melania Knauss lindi në Slloveni, në Sevnica, me 26 prill 1970 nga një familje e thjeshtë. I ati drejton një dyqan makinash dhe motorësh, e ëma krijon dhe qep veshje. Prindrit e saj u njojën në vitin 1966, kur akoma Sllovenia ishte pjesë e Jugosllavisë.

Në moshën 16 vjeçe fillon karrierën si modele dhe 18 vjeçe nënshkruan kontratën e parë me një agjenci mode milaneze. Karrierës në modë i bashkangjit edhe studimin. Në Universitetin e Lubjanës studion pikturë dhe arkitekture, por mediat amerikane kanë ngritur dyshme rreth faktit se First Lady e ardhshme ta ketë marrë diplomën. Në të vërtetë, duket, se ka braktisur shkollën pas përfundimit të vitit të parë duke iu përkushtuar sfilatave.

Melania dhe Donald u takuan në një javë mode në Nju Jork në vitin 1998. Fejesa zyrtare arrin në vitin 2004 dhe martesa, në të cilën morën pjesë edhe Hillary dhe Bill Clinton, u mbajt në vitin 2005. Një vit më vonë, Melania u bë qytetare amerikane dhe është mamaja e fëmijës së pestë të Trump, Barron William. E rrit djalin pa ndihmën e një dadoje dhe për të thotë: “Është shumë i fortë dhe i zgjuar, i pavarur, ai di saktësisht se çfarë do. Nganjëherë e thërras Little Donald”.

Në vitin 2010, ish-modelja hedh në treg linjën e vet të bizhuterive dhe orëve: Melania. Për të reklamuar markën shfrytëzon imazhin që i ka dhënë media si një grua e përsosur dhe klasike. E përditshmja amerikane The New York Times e ka quajtur “shoqe e heshtur”, që krahasohet me stilin e Jaqueline Kennedy.

Tani që Trump është presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Melania bëhet First Lady e parë e huaj pas Louisa Adams, gruaja e John Quincy Adams, banori i gjashtë në historinë e Shtëpisë së Bardhë.

Melania nuk do të jetë Zonja e Parë që është martuar me një burrë të ndarë, para saj ka qënë Nancy Reagan. Sllovenja nuk do të jetë as modelja e parë që do të banojë në Shtëpinë e Bardhë, para saj kishin qënë Pat Nixon dhe Betty Ford.