Ftesa për të vajtur dhe provuar modelin e ri Lamborghini Aventador S flet qartë, “Dare your ego”, sikur të thotë vihu në provë.

Për herë të parë, nuk ka ekzagjerim nga realiteti sepse krijesa më ekstreme e prodhuar në Sant’Agata bën pikërisht këtë, ju vë në provë me një “S” shtesë për t’ju thënë se gjithçka është më lartë, performanca, limitet, emocionet.

Në fakt, tre opsioneve klasike të Lamborghinit, Strada, Sport dhe Corsa, tek Aventador S shtohet edhe një e katërt, e quajtur Ego, që praktikisht të jep mundësinë të krijosh një profil të personalizuar duke ndërthurur sipas dëshirës opsionet elektronike të marsheve, timonit dhe qëndrueshmërisë.

Sikur të mos mjaftonin 700 kuajfuqi të modelit të mëparshëm, versionit “S” i shtohen edhe 40 të tjerë, dhe i cili shpejtësinë nga 0-100 kilometra në orë e arrin për më pakë se 3 sekonda ndërsa atë maksimale deri në 350 km/h, transmeton kp. Numra këto që të fusin frikën dhe të pakët janë ata që realisht mund t’i arrijnë.

Ata që guxojnë shpesh kanë ndjesinë se e kanë ekzagjeruar më shumë se ç’duhet, sepse kjo Lambo duket sikur kërkon të të pushtojë. Lamborghini Aventador S mishëron brutalitetin e pastër që kishte shtyrë Ferruccio Lamborghini të zgjidhte demin si simbol të krijesës së tij. Për ta zotëruar duhet forcë, vendosmëri dhe pasion.