E ka nisur muzikën në moshë shumë të vogël dhe, si për Gretën, ashtu edhe për Enin, është e vështirë të besohet se mund të jetojnë jashtë muzikës. Prej kohësh, motra e vogël, tashmë 21-vjeçare është zhvendosur përfundimisht në Londër për studime, por pa lënë mënjanë pasionin për muzikën.

E ftuar në një intervistë për Prive, Eni ka zbuluar se ky vit do të jetë viti i saj dhe i Gretës, sepse motrat do të vijnë më në fund me bashkëpunimin e shumëpritur nga fansat: “Në 2017-ën do të ketë një bashkëpunim me Gretën. Thjeshtë jemi në mëdyshje për tematikën e këngës, çfarë mund të bëjnë, çfarë mund të këndojnë dy motra…” tregon Eni.

Në repertorin e saj, dy bashkëpunime mjaft të suksesshme janë ato me reperin e njohur Noizy, me të cilin u spekulua edhe se Eni mund të kishte një lidhje më shumë se miqësi. Por këngëtarja sqaron se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë mes: “Kam bashkëpunuar me Noizy-n që në moshë shumë të vogël. Rreth moshës 15 vjeç ka përfunduar bashkëpunimi i dytë. Të dyja këngët rezultuan mjaft të suksesshme. Por mes meje dhe Noizy-t nuk ka pasur kurrë asgjë më shumë se miqësi dhe bashkëpunim në muzikë. Vazhdon të jetë një koleg dhe një mik shumë i mirë, por nuk e di pse ne shqiptarët kemi shumë qejf që t’i tejkalojmë gjërat… Ka pasur vetëm bashkëpunim me të dhe asgjë më shumë….” – thotë Eni duke mbyllur më në fund gojët e liga.

E pyetur për statusin e saj momentalisht, Eni thotë se është e fokusuar te studimet dhe te muzika.