Deputeti më i ri në Kuvendin e Kosovës nga radhët e AKR-së, Labinot Tahiri ka reaguar lidhur me peticionin e ngritur për mos-pagimin e deputetëve deri në formimin e institucioneve udhëheqëse të vendit.

Me këtë rast Tahiri ka theksuar se nuk dëshiron të marrë pagën e Kuvendit, pa u themeluar institucionet e Kosovës,.

Madje Tahiri ka bërë të ditur se i bashkohet me shumë kënaqësi këtij peticioni të ngritur nga qytetarët. Gjithashtu deputeti i AKR-së ka thënë se në rast që Kuvendi ndanë pagë për të, ai deri në themelimin e institucioneve atë pagë do t’ia dërgojë ndonjë familje me gjendje të rëndë sociale në vend.

“Unë nuk dua ta marrë rrogën në Kuvend, pa u themeluar Institucionet e Kosovës.
A jeni lodhur të dashur qytetarë?! E di që jeni lodhur! Të jemi të durueshëm se, ditët e mira do të kthehen në Kosovë, ashtu siç e kemi gëzuar Lirinë e Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Tutje ai është shprehur se nëse deputetët nuk punojnë për qytetarët, atëherë nuk kanë se pse t’i marrin pagat nga shteti.

“Nese Kuvendi, e ndanë rrogën për mua, unë deri ne themelimin e institucioneve, ato rroga do ia dërgojë ndonjë familje me gjendje të rëndë sociale në Kosovë”, ka shtuar deputeti nga radhët e AKR’së.

Ai ka bërë apel edhe tek deputetët e tjerë që t’i bashkohen iniciativës për të mos marrë pagë nga insitucionet e vendit.

“Bëj apel te të gjithë Deputetët, të jemi më të përgjegjshëm, te kemi mëshirë ndaj vendit e qytetarëve dhe ta marrim parasysh m’llefin e tyre. Thjesht të gjithë të reflektojmë me ma shumë pozitivitet para njerëzve tanë”.

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/labinot-tahiri-perkrahi-peticionin-deputetet-te-mos-marrin-paga-pa-u-krijuar-institucionet-425350/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright