Kryetari i komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata ka shkruar se Dibrën do ta bëj qytet evropian. Por kjo deklaratë e tij është bërë cak i gallatës në internet, ku kundërshtarët e tij kanë shkruar se Lata e pranoi që Dibra nuk është evropiane dhe është një qytezë afrikane.

“Ruzhdi Lata me gojën e vetë e tha se në Dibra është afrikane, me njerëz ku nuk shohin perspektivë, pa infrastrukturë të realizuar, me qentë endacakë, me mungesë të ujit dhe papunësi trishtuese”, kanë shkruar nga shtabi i kandidatit të Lëvizjes BESA, Xhemail Çupi.

Ruzhdi Lata tha se angazhimi i tij është Dibra evropiane. Këtë e ka dëshmuar edhe gjatë katër viteve të kaluara.

Lata, i cili për të dytën herë me radhë e kërkon besimin, u përqendrua në projektet e premtuara dhe të realizuar.

“Gjithçka që premtuan para katër vitesh, realizuam edhe më shumë se aq. Për gjithçka që arritëm me angazhim maksimal, bashkëpunim, mirëkuptim, me fytyrë të pastër, ju drejtohem dhe e kërkoj votën tuaj për edhe një mandat në të cilin në tërësi do t’i realizojmë idetë tona me të cilat Dibra do të bëhet qytet evropian”, theksoi Lata.

Ai paralajmëroi më shumë projekte, më shumë infrastrukturore, ndërtimin e kopshtit të ri, rezervuarit për furnizimin e qytetit, rregullimin e deponisë së qytetit, rikonstruimin e sistemit për ujitje.