Lëvizja Besa ka reaguar menjëherë pas vendimit të kryesisë së BDI-së për tu tërhequr nga Qeveria.

“Ashtu siç kishte paralajmëruar më parë Nikolla Gruevski, se Ali Ahmeti ia ka dhënë fjalën se do ta mbështesë që zgjedhjet të jenë më 5 qershor, ndonëse Ahmeti nuk është dëshmuar si mbajtës i premtimeve para shqiptarëve, kësaj radhe ai ia mbajti fjalën mikut të tij Gruevski. Me vendimin e mbrëmshëm të BDI-së, që ajo të tërhiqet nga Qeveria, kjo parti edhe një herë dëshmoi se në kohën kur në Maqedoni po thyhen shtizat ndërmjet agjendës amerikane për dekriminalizimin e politikës dhe për rikthimin e saj në rrugën e integrimeve euro-atlantike, kjo parti përsëri doli në mbrojtje të politikave antimaerikane”, thekson Besa.

Kjo parti vlerëson se akoma pa u pastruar lista zgjedhore, pa përfunduar reformat shumë të nevojshme në media dhe pikërisht kur filloi të veprojë Prokuroria Speciale, kjo parti po e braktis qeverisë, që kështu t’ia bëjë shërbimin e fundit VMRO-DPMNE-së dhe t’i mundësojë asaj të shpëtojë çka të mundet dhe t’i shpëtojë zyrtarët e saj që tashmë janë të vdekur politikisht. “Të gjendur në këtë situatë, Lëvizja BESA e përsërit qëndrimin e saj të shprehur qysh vitin e kaluar, që sa më shpejt të ngrihet një qeveri ekspertësh me mandat për ta realizuar regjistrimin e popullsisë dhe për organizimin e zgjedhjeve. Në të kundërtën, nëse përfundimisht shpallen zgjedhje në këso kushte, Lëvizja BESA mund të bëjë thirrje për bojkot dhe ajo të mos marrë pjesë në ato zgjedhje ku legjitimohet manipulimi, ku rizgjidhen kriminelët dhe ku nëpërkëmbet vullneti demokratik i qytetarëve të Maqedonisë”, thekson Besa.