Lëvizja Besa shpreh shqetësimin e saj për gjendjen e shkollave shqipe, si fillore ashtu edhe të mesme, si dhe për kushtet që nxënësit shqiptarë të Kumanovës janë të detyruar ta zhvillojnë procesin edukativo-arsimor.

Kështu, për shembull, Shkolla Fillore “Jeronim De Rada” përballet me mungesë të kushteve elementare, është pa sallë sporti, pa kabinete dhe me klasa pa ngrohje, ndërsa në shkollën fillore “Toli Zordumis”, në të cilën mësojnë 30 nxënës shqiptarë në një paralele, kurse 20 nxënës maqedonas në 3 paralele,  gjuha shqipe përsëri nuk është zyrtare dhe në stafin e saj drejtues nuk ka asnjë shqiptar.

Gjendje jo më e mirë është edhe në shkollat e mesme. Pas konfliktit të 2001 paralelet në gjuhën shqipe në shkollat e mesme në Kumanovë u dislokuan nga shkollat qendrore për shkak të dhunës që ushtrohej te nxënësit shqiptarë dhe ky dislokim duhej të ishte i përkohshëm derisa të gjendej zgjidhje e përhershme. Por, objekt u gjet vetëm për shkollën e mesme ekonomike, e cila ende nuk është e pavarur, ndërsa gjimnazi u pavarësua, mirëpo së bashku me shkollën e mesme teknike (e cila nuk është pavarësuar) gjenden në një objekt, i cili është totalisht i papërshtatshëm, me kushte të mjerueshme dhe pa asnjë standard për zhvillim normal të procesit edukativo-arsimor. Nxënësit e këtij objekti të stërngarkuar, në mungesë të sallës sportive, orët e edukatës fizike mësimet i ndjekin te tregu i gjelbër, i cili është përballë objektit, por më shpesh nëpër kafene. Ndërkaq nxënësit e drejtimit të mjekësisë orët i ndjekin nëpër baraka me kushte mizore, të cilat duhej të ishin zgjidhje e përkohshme, por sot e kësaj dite gjenden aty.

Përkundër kësaj gjendje, këshilltarët komunalë të BDI-së vazhdimisht disa vite me radhë japin deklarata dhe premtime boshe se do t’i zgjidhin këto probleme jetike për arsimin shqip, por problemet sot e kësaj dite mbeten të pazgjidhura dhe dita-ditës vetëm shtohen. Ndërkaq ministri i Arsimit dhe Shkencës, po ashtu kuadër i BDI-së, në njërën anë i detyron nxënësit të mësojnë me programe të Kembrixhit, ndërsa në anën tjetër i detyron nxënësit shqiptarë të mësojnë në kushte afrikane.