Kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami nga Haraçina ka theksuar se lëvizja e tyre politike ka avantazhet e saj në skenën politike, sepse në radhët e saj ka rininë dhe kapacitetet më të devotshme të shoqërisë shqiptare.

Sipas tij, BDI duhet të mbledhë plaçkat dhe të ikë në pension, sepse është e zhytur në krim dhe hajni.

“Lëvizja BESA nuk është sonte këtu që t’ju flasë se çfarë kanë bërë ose çfarë nuk bërë ata, sepse ata – më mirë se ne – i njihni ju. Ne jemi këtu vetëm që ta ngjallim shpresën se, megjithatë, ka shpresë. E dimë se ata e kanë degraduar arsimin, por megjithatë ne shpresojmë se mund të bëhet më mirë. Ne çdo ditë e shohim se si shqiptarët po varfërohen dhe se si shqiptarët e rinj gjithnjë e më shumë na ikin nëpër Evropë. Por, megjithatë, ka shpresë. Fakti që ne jemi në skenë, fakti që BESA vetëm për një vit në skenë ka rikthyer shpresën e rinisë shqiptare dhe të mbarë popullit shqiptar në Maqedoni, i cili sot gjithkund na pret kaq ngrohtë e miqësisht, është dëshmi se megjithatë ka shpresë. Dhe, unë jam i bindur, jua them sinqerisht, jam shumë i bindur se rruga jonë patjetër do të ngadhënjejë. Ne kemi dy avantazhe që askush në skenën politike nuk i ka. Ne kemi rininë, që tek tash i hyn politikës dhe që nuk lodhet kaq shpejt në këtë rrugë. Dhe, e dyta, ne kemi vullnet dhe energji ta durojmë secilin presion, pa marrë parasysh nga kush vjen, që kjo rrugë të ngadhënjejë. Prandaj ata janë të frikësuar. Sepse e dinë se me daljen tonë në skenë ka përfunduar epoka e tyre. Për këtë arsye ata kanë filluar tí mbledhin plaçkat, sepse pas këtyre zgjedhjeve ose shkojnë në pension të përhershëm politik ose shkojnë në burg.”

Anëtari i Kryesisë Qendrore, Shaban Zendeli në fjalën e tij theksoi: “Likova dhe Haraçina krahas lidhshmërisë territoriale kanë edhe histori të ngjashme gjatë luftës së 2001-shit. Të gjithë ne banorët e kësaj ane dhe jo vetëm, kishim shpresë se atë që e fituam në luftë do ta ndiejmë, do ta gëzojmë, do ta përjetojmë si kënaqësi kolektive me të arriturat që do të vijnë si rezultat i marrëveshjes së Ohrit e cila në shumë segmente u bë edhe pjesë përbërëse e kushtetutës së RM-së. Askush nuk e ka marrë me mend se shpresa aq e madhe e asaj kohe  do të shndërrohet në zhgënjim masovik të shqiptarëve”.

 

Pas kësaj u bë prezantimi i Këshillit Komunal i Komunës së Haraçinës, i përbërë nga gjithsej 17 anëtarë, i cili për koordinator kishte zgjedhur inxhinierin e informatikës Elham Abazi.