Meqë palët nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos vazhdojnë t’i shkelin afatet, qoftë në fushën e pikave që kanë të bëjnë me mediat, ato që janë të lidhura me listën zgjedhore dhe në përgjithësi me procesin zgjedhor, por edhe në pikën e dorëheqjes së kryeministrit Gruevski, Lëvizja BESA me keqardhje konstaton se po konfirmohet bindja jonë se këto parti nuk janë të interesuara për tejkalimin e krizës, dhe për perspektivën e vendit, por as nuk kanë shfaqur gatishmëri për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike

Duke luajtur rolin e nxënësve grindavecë, të cilën vazhdojnë të grinden sapo e kthen kokën arsimtari, edhe këto parti sillen ndaj asistuesve ndërkombëtarë me sabotim dhe prepotencë. Në këtë mënyrë ata e dëmtojnë seriozisht perspektivën e vendit dhe shpresën e qytetarëve se pas këtij procesi do të vijnë ditë më të mira në Maqedoni.

Lëvizja BESA konstaton se mosiplementimi i marrëveshjes së 2 qershorit implikon dëmtimin ose, më saktë, manipulimin e procesit zgjedhor, të paraparë për 24 prill, pastaj e dëmton seriozisht lirinë e mediave, por edhe në përgjithësi e rrënon demokratizimin e vendit dhe perspektivën euro-atlantike të tij.

Duke pasur në konsideratë të gjitha këto, BESA beson fare pak se kjo klasë politike është e interesuar që të kemi zgjedhje të drejta dhe pa manipulime, madje sipas nesh, arsyeja e sabotimit të marrëveshjes është që skenari i zgjedhjeve të jetë një reprizë me letërnjoftime të falsifikuara, me listë zgjedhore fiktive, me manipulim të procesit zgjedhor, me hapësirë mediatike në shërbim të partive në pushtet dhe, në fund, me një qeveri jodemokratike.

Të gjendur në këtë situatë, Lëvizja BESA kërkon nga faktori ndërkombëtar, si garantues i asaj marrëveshje, që të jetë më këmbëngulës dhe insistues ndaj implementimit të Marrëveshjes dhe procesin ta zhvillojë konform asaj dinamike. Në të kundërtën BESA do ta shqyrtojë seriozisht mundësinë që të bëjë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve, sepse nuk ka asnjë kuptim që të shpresojmë për zgjedhje të lira dhe demokratike nëse ato organizohen nga njerëzit e njëjtë dhe me mundësinë e njëjtë të manipulimeve. Aq më shumë që simpatia që BESA gëzon në opinion i ka shqetësuar kundërshtarët tanë dhe i ka mobilizuar që ata ta keqpërdorin secilin mekanizëm të pushtetit për ta ndalur hovin e suksesit tonë.

besa-540x330