Pasi Këshilli Komunal i Komunës së Butelit mori vendim për dhënien e lejes për vendosjen e Kryqit në territorin e komunës së Butelit, Lëvizja Besa – Butel shpreh indinjatën e thellë në lidhje me këtë vendim, i cili prek direkt në marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe ndërfetare të banorëve të kësaj komune, por edhe më gjerë. Ne jemi thellë të bindur se ky vendim i njëanshëm, i marrë nga autoritetet komunal, nuk kontribuon në ndërtimin e mirëbesimit mes banorëve të kësaj komune, por përkundrazi është nxitje e jotolerancës, ksenofobisë dhe i lëndon ndjenjat e qytetarëve joortodoksë të kësaj komune.

Duke qenë të bindur se krishterimi është religjion që mbi të gjitha kërkon përkushtim shpirtëror, jemi të sigurt se nuk ka kryq – sado i gjatë të jetë – që dëshmon për devotshmërinë e koalicionit VMRO-BDI. Prandaj, me këtë rast e kemi një pyetje edhe për BDI-në: Sa metra KRYQ në Butel ka kushtuar shqiponja ilegale e Ali Ahmetit në Çair?

Lidhur me këtë Lëvizja BESA siguron se në rastin kur ajo të do të jetë në pushtet, do të krijojë organe që do të merren me hetimin e të gjithë këtyre veprimeve antishtetërore dhe do të kërkojë mekanizma që do të ndihmojnë në ndërtimin mirëbesimit dhe tolerancës ndërmjet të gjithë qytetarëve në vend.