“Pas përmbytjeve të mëdha në Shkup, ku mbetën të vdekur më shumë se 20 persona, Lëvizja BESA ngre shqetësimin se nuk është mirë që faji për këto përmbytje t’i përshkruhet Zotit. Se sa bie shi dhe ku bie shiu kjo nuk është në dorën e njeriut, por se si menaxhohet shiu në tokë, ky është detyrim vetëm i njerëzve dhe autoriteteve në tokë.

Për këtë arsye, aq më shumë kur ka pasur disa herë paralajmërime se kjo mund të ndodhë në atë rajon, është dëshmi e bollshme që Prokurori Publik të ngrejë hetime që të identifikohet përgjegjësia penale e personave juridikë, të cilët me pasivitetin e tyre kanë lejuar një fatkeqësi të këtillë. Që nga kryetarët e komunave të Haraçinës dhe Gazi Babës, te kryetari i Qytetit të Shkupit (që ka qenë edhe ish kryetar i Gazi Babës), e deri te ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, por edhe më tej te kryeministri aktual dhe ish kryeministri – që de fakto është kryministër, ka një varg pikash referente të cilët duhej ta bartin përgjegjësinë penale të kësaj katastrofe.

Së dyti, në aspektin politik, është e pritshme që kryetari i Komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski, kryetari i komunës së Haraçinës, Brahim Ajvazi, dhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, të japin dorëheqje në shenjë të përgjegjësisë politike dhe morale, ngase kanë dështuar me menaxhimin e infrastrukturës përkatëse.

Së treti, po ashtu në aspektin politik dhe moral, do të duhej që dorëheqje të japë edhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Bashkim Ahmeti, sepse ai e mbulon resorin që është përgjegjës për të parandaluar katastrofat e këtilla. Natyrisht, përgjegjësi politike duhet të bartë edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili dhjetëra herë ka mbledhë vota në atë zonë duke premtuar kanalizime dhe ujësjellës dhe kurrë nuk e ka mbajtur atë premtim.

Së fundi Lëvizja BESA i konsideron pamje neveritëse ato ku kryetari i VMRO-DPMNE-së qëndron në vizitë në Hasanbeg, i shoqëruar nga aktivistët e tij të BDI-së, ndërkohë që ata bashkë tashmë dhjetë vite kanë votuar buxhete gati 1 miliardë për projektin “Shkupi 2014” dhe nuk kanë votuar në asnjë buxhet mjete që do ta parandalonin këtë katastrofë.
Ndërkaq, që të parandalohet një katastrofë tjetër, në të cilën zyrtarët e shtetit përsëri do të shesin demagogji dhe do të bëjnë fotografi, i bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Maqedonisë që në mbledhjen e saj të parë të ndajë mjetet e nevojshme, fundja të anulohet kafazi i majmunit dhe ndonjë kalë në sheshin e Shkupit, dhe ato para të destinohen në rregullimin e plotë të infrastrukturës së vendbanimeve të përmbytura”, – thuhet në press konferencën e Lëvizjes BESA.