Lëvizja Vetëvendosje!, konsideron se misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë, i ka ardhur koha që të shkojë për shkak se ka dështuar në punën që është dashur të kryej.
Në një komunikatë për medie të Lëvizjes Vetëvendosje! thuhet se prania e EULEX-it në Kosovë, është jodemokratike dhe se zyrtarët e këtij misioni janë të korruptuar. “Pas 8 vitesh ekzistencë, EULEX mund të konsiderohet eksperiment tërësisht i dështuar. Zyrtarë të EULEX kanë folur për përfshirjen e vetë EULEX në afera korruptive me oligarkët e kriminelët që kanë pushtetin në Kosovë. Gjatë gjithë këtyre viteve, Kosova vazhdon të ketë një sistem gjyqësor dhe një drejtësi të diskredituar dhe jofunksionale. Kjo drejtësi e mbikëqyrur dhe e drejtuar nga EULEX, e cila sot dëshiron të dënojë aktivistët për veprimet e tyre politike, kurrë nuk ka guxuar të nisë hetimet mbi dosjet për korrupsionin e kryeministrit Isa Mustafa. Kjo drejtësi kurrë nuk ka guxuar të gjykojë e të dënojë asnjë zyrtar të lartë, apo politikan të rëndësishëm të partive në pushtet”, është thënë në komunikatën e VV-së.
Ndër të tjerash, në këtë komunikatë të këtij subjekti politik, thuhet se aktivistët e kësaj lëvizjeje, po kërkohen në vazhdimësi nga policia për shkak të disa aksioneve që ata kishin ndërmarrë në gusht të vitit 2009, kundër pranisë së EULEX-it në Kosovë, dhe se aktivistët e kërkuar, nuk do t’i përgjigjen asnjëherë kësaj thirrjeje të organeve të rendit. “Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! po kërkohen nga policia dhe po arrestohen për shkak të organizimit të aksionit tonë protestues kundër EULEX, në 25 gusht 2009. Aktivistët tanë nuk do t’i përgjigjen thirrjeve të këtij procesi gjyqësor, pasi ky është proces politik. Sot, si në 2009 ne përsërisim të njëjtin mesazh: EULEX duhet të shkojë. Pas gjashtë vjetësh gjykatat e Kosovës e kanë hapur lëndën kundër aktivistëve për këtë protestë tonën, të cilën koha e ka dëshmuar të drejtë”, është thënë në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje!.
vetevendosje