Nëse Maqedonia dëshiron që vitin e ardhshëm të jetë pjesë e NATO-s dhe e familjes së madhe europiane, atëherë duhet të fillojë t’i përmbush standardet që kërkohen nga Bashkimi Europian dhe të fillojë bisedimet për çështjen e emrit, u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeit.

Ai vitin 2017 e vlerësoi si vit të vështirë, i cili i mbetet së kaluarës, duke shtuar se vitin e ardhshëm Maqedoni duhet të punojë në të gjitha reformat, si në gjyqësor, administratë e polici. Ndërkohë, deklaratës së kryeministrit të vendit, Zoran Zaev, se ai ka kontribuar më shumë për sjelljen e ligjit të gjuhëve, Ahmeti iu përgjigj se koha do të dëshmojë se kush sa ka punuar.

“Gjërat kanë ndryshuar shumë dhe Maqedonia të ardhme tjetër nuk ka. Disa herë e kemi thënë si BDI se ky vend do të ecë përpara, atëherë zërin do ta ngritin maqedonasit për avancimin apo barazinë mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe kurrë shqiptarët nuk do të ngrenë zërin për të drejtat e maqedonasve. Tani kush sa ka kontribuar, peshorja e kohës sigurisht do të jetë ajo që në të ardhmen do të vlerësojë. Por, si angazhim dhe deklarim i guximshëm duhet përshëndetur”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Pas shkarkimit nga detyra e kryeshefit të policisë së Tetovës, Ahmeti tha se ky sektor është një ndër sektorët më të rëndësishëm dhe shumë shpejt do të emërohet kryeshefi i ri i cili do të luftojë krimin e organizuar.

“Duhet të emërohet kryeshefi në Tetovë, por jo vetëm në Tetovë, por është për tërë regjionin e Pollogut me shtrirje deri në afërsi të Dibrës. Me sa kam unë njohuri, janë bërë disa propozime, do bëhen disa konsultime jo vetëm me një kandidat. Pasi të bëhet i tërë vlerësimi, do të emërohet kryeshefi në të ardhmen. Shumë me rëndësi është për ne që pa kompromis t’i bëhet luftë krimit të organizuar, është shqetësuese për ne përdorimi i lëndëve narkotike nëpër shkolla”,- tha Ahmeti.

Përndryshe, Ahmeti është shprehur se tryeza e përbashkët e partive shqiptare duhet vazhduar dhe se tani radhën e thirrjes së tryezës së përbashkët e ka Partia Demokratike Shqiptare.

Ndërkohë, i pyetur se a ka gisht në largimin e ASh-së nga qeveria, ai është përgjigjur se këto janë vetëm fjalë të zotit Sela. Këto komente kryetari i BDI-së i bëri sot në selinë e partisë në Reçicë të Vogël, në takimin e organizuar që pati më gazetarët. (Visar Sadiki, TVM2)