Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka kërkuar nga kryetarët e degëve që të angazhohen sa më shumë në organizimin dhe mobilizimin e qytetarëve për protestën e organizuar nga partitë opozitare më 17 shkurt.
Ai ka thënë se protesta do të jetë paqësore dhe dinjitoze. “Kërkoj nga ju që të bashkëpunoni sa më shumë me organet e rendit, me qëllim që mbarëvajtja e protestës të jetë sa më dinjitoze dhe paqësore e gjithashtu të dërgohet mesazhi tek protestuesit që të distancohen nga çdo akt i mundshëm i dhunës, nga persona që dëshirojnë ta prishin imazhin e mirë të protestës”, ka thënë Limaj gjatë takimit me kryetarët e degëve të kësaj partie.
Limaj ka thënë se për protestën e 17 shkurtit duhet ftuar të gjithë, pa dallime partiake, sepse kjo protestë, sipas tij,  është në të mirë të të gjithëve, ku askush dhe asgjë nuk do mund ta zbeh mesazhin që dhanë qytetarët e Kosovës me pjesëmarrjen e tyre në protestën madhështore e paqësore që u mbajt më 9 janar.
Limaj ka kërkuar nga kryetarët e degëve të Nismës, që të bashkëpunojnë sa më shumë me organet e rendit, me qellim që mbarëvajtja e protestës të jetë sa më dinjitoze e paqësore. Ai gjithashtu ka kërkuar nga kryetarët e degëve që të dërgohet mesazhi tek protestuesit për t’u distancuar nga çdo akt i mundshëm i dhunës, nga persona që dëshirojnë ta prishin imazhin e mirë të protestës.