Pas dhënies së dorëheqjes së Menduh Thaçit nga kreu i partisë, në rrjetet sociale po derdhen lotë krokodili nga krerët e degëve lokale të kësaj partie. Idriz Orana nga dega e Çairit, ka refuzuar të pranojë dorëheqjen e liderit të tij. Ai njihet si “dezertor” i rikthyer në partinë e Thaçit. Në vitin 2008 pas shkëputjes nga PDSH-ja e Imer Selmanit dhe krijimin e DR-së, Orana ishte njëri nga ata funksionerë të PDSH-së që e braktisi Thaçin. Ata atëherë kërkonin dorëheqjen e Thaçit, duke e akuzuar se e ka shndërruar në pronë private. Madje Idriz Orana arriti të bëhet këshilltar në qytetin e Shkupi si anëtar i DR-së së Selmanit. Thaçi i akuzoi këta si “plehra” të kombit shqiptar. Nuk zgjati shumë dhe këto dezertorë u rikthyen në partinë amë. Përveç tij nga Thaçi u larguan dhe u rikthye edhe Bekim Fazliu, ish deputet i Thaçit. Pas Idriz Oranës, publikisht ka refuzuar dorëheqjen e tij edhe kryetari i degës së Strugës, Mendi Asani. Ky i fundit bashkë me Vasfi Dokon e Ohrit u larguan në DR-në e Selmanit dhe me bindje shpreheshin në media se PDSH-ja ka vdekur në këto anë. Edhe këtyre nuk iu zgjati shumë kjo aventurë dhe u rikthyen tek Thaçi, madje duke u bërë përkrahësit më të mëdhenj të tij. Sot këta qajnë sepse Thaçi u dorëhoq. Ndër pyetjet që u parashtrohen këtyre personave tani pas dorëheqjes së liderit të tyre janë se si mundet këta të qajnë për të, kur ishin pikërisht këta persona që e tradhëtuan, e akuzuan dhe e bënë humbës Menduh Thaçin duke ikur në DR. Atyre iu këshillohet që të ndjekin shembullin e Thaçit dhe të ikin prej skenës politike që po e ngulfasin nga 20 vite radhazi.

© fol.mk