Lëvizja për Reforma – PDSH ka reaguar  kundër vendimit të ELEM për të ndërtuar  parkun prej miljona euro në lagjën Aerodrom të Shkupit ndërsa në komunat shqiptare nuk ka kushte elementare për jetesë .

Kjo është komunikata që LR-PDSH e ka lëshuar për mediat .

 

Në kohën kur shumë komuna vuajnë për mungesën e kushteve elementare si të ujit të pijshëm apo infrastrukturën katastrofale, mungesën e objekteve shkollore apo spitaleve, kompania e cila tashmë një kohë të gjatë ka vendosur monopol si pasojë e mungesës së konkurrencës, ELEM, ka vendosur të investojë 15 milionë euro në “parkun e parajsës” në komunën Aerodrom të Shkupit.

LR-PDSH shpreh revoltën ndaj kësaj kompanie e cila në bazë të monopolit të vendosur, shpërndan fatura energjetike afrofe, gjest që ka detyruar shumë familje të shkëputen nga rrjeti elekto-energjetik.

Kjo dukuri e dëmtimit të xhepit të qytetarëve, sidomos atyre në pjesët shqiptare të vendit, nuk ka penguar ELEM-in të investojë shumën marramendëse të parave në komunën e pastër etnike maqedonase, ndërkohë që në pjesën perëndimore të vendit tashmë dhjetëra vite nuk ka një investim aq të madh kapital.

LR-PDSH bën thirrje te udhëheqësia, zëvendës drejtori Fatmir Limani që të rishqyrtojnë vendimin për investim 15 milionë euro në një park, dhe të merren me klasifikimin social të familjeve në vend. Bëjmë pyetje publike se ku mbeti premtimi për investim në Kodrën e Diellit?