Lëvizja për reforma PDSH apelon partitë politike në vend dhe sidomos garniturën qeverisëse VMRO-BDI që t’i shmangen politikës së kalkulimeve ditore dhe të ngriten në nivel të seriozitetit të situatës.

Vendimi për shpërbërje të Parlamentit që ndodhi më 18 Janar dëshmoi që ishte një hap i gabuar dhe jashtë koordinimit me faktorin ndërkombëtar, ndërsa vendimi i mbrëmshëm për abrogim të vendimit të kaluar dhe caktimi i datës së re për mbajtjen e zgjedhjeve pa u plotësuar kushtet e nevojshme, mund të jetë gabim i rradhës.

Lëvizja për reforma PDSH ju apelon partive politike nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës që sa më shpejtë të plotësojnë kushtet e nevojshme dhe të shkohet në zgjedhje. Prioritet duhet të jetë përmbushja e obligimeve që dalin nga Marrëveshja, gjegjësisht pastrimi i listave zgjedhore dhe ndryshimi i Ligjit për media, me qëllim të krijimit të kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve kredibile, fer dhe demokratike.

Çdo opstrukcion i mëtejshëm që ka për qëllim mos-plotësimin e kushteve, nga garnitura qeverisëse VMRO-BDI, e ndihmuar edhe nga PDSH, shkon në dëm të shqiptarëve dhe aspiratave madhore të shqiptarëve.

Lëvizja për Reforma – PDSH