“LSDM dënon ashpër incidentin në të cilin u sulmua Muzeu i Gjuhës Shqipe dhe presin që organet përgjegjëse sa më shpejtë të zbardhin rastin” kështu fillon reagimin partia e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë pas sulmeve që i ju bënë Muzeut të Kongresit të Manastirit, transmeton Gazeta Express.

Ata gjithashtu tregojnë se dhuna dhe urrejtja janë nxitur nga Nikolla Gruevski dhe përkrahen nga Gjorge Ivanov.

“Ju paralajmërojmë se dhuna dhe urrejtja të nxitura nga Nikolla Gruevski dhe të përkrahura nga Gjorge Ivanov na qojnë drejt pasojave të dëmshme dhe të rrezikshme për qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Nga këtu skenarët që kanë për qëllim të nxisin konflikte dhe përleshje ndër-qytetare dhe të thellojnë krizën politike në Maqedoni me qëllim që të shpëtojë Nikolla Gruevski me bashkëpunëtorët nga dhënia e llogarisë për krimet e bëra, nuk do të ketë sukses”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Nga kjo parti po ashtu premtojnë se në “Maqedoni do të ketë transferim të qetë të Qeverisë së re përgjegjëse dhe reformuese e cila do të sigurojë stabilitet dhe përparim të Maqedonisë dhe qytetarëve të saj duke bërë thirrje te qytetarët që të jenë të përmbajtur dhe të mos bien pre e provokimeve të qëllimshme”.