Kryesia Qendrore e LSDM në mbledhjen e mbajtur deri vonë ka theksuar se duhet të respektohet vullneti i qytetarëve mbi 90 përqind nga mbi 600 mijë vota të shprehura në referendumin e së dielës dhe të miratohen ndryshimet kushtetuese në Kuvend, informon INA.

Në të kundërtën kjo parti ka vendosur që nuk ka opsion tjetër dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare, edhe ate menjëherë, ku qytetarët do të vendosin për të ardhmen, thuhet në konkluzat e kryesisë qendrore të LSDM.

“Kryesia qendrore ka vlersuar se duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë demokratike, dhe ti mundësohet deputetëve të përcjellin zërin e qytetarëve për të siguruar anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE”, theksoi LSDM.

Kryesia autorizoi kryetarin e LSDM, Zoran Zaev dhe koordinatorin e grupit parlamentar Tomislav Tuntev që të ndërmarrin hapat e nevojshëm në drejtim të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Nga kjo parti gjithashtu theksuan se askush nuk duhet të shpresojë në amnisti dhe se në këto momente bëhet fjalë për çështje të rëndësishme për të ardhmen e vendit. (INA)