Sot para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të vendosen 14 karrige në shenjë mbështetjeje për anëtarët e Komisionit për Financim dhe Buxhet.

“Do të jemi në rrugë për t’i përkrahur anëtarët e Komisionit që të votojnë për amendamentin e LSM-së, me të cilin do të sigurohen 2.806 denarë për secilin të punësuar në sektorin publik. Nëse nuk e mbështesin amendamentin e LSM-së, ne do t’i thërrasim të gjithë me emër dhe mbiemër, që çdo punëtor të dijë se kush është mik e kush armik i punëtorit dhe do të kërkojmë publikisht dorëheqjen e të gjithëve, sepse nuk janë të denjë të përfaqësojnë punëtorin dhe qytetarët në Kuvend”, thonë nga LSM.

Greva e përgjithshme në sektorin publik filloi më 22 qershor me kërkesat për rritje lineare të pagave prej 2.806 denarë neto për të gjithë punëtorët në përputhje me rritjen e pagës minimale, nënshkrimin e marrëveshjes së përgjithshme kolektive dhe pagesën e K-15.