Regjistri Qendror vazhdon të heshtë edhe pas largimit të ankesave nga procedura për ndryshimin e emrave të shkollave në Çair. Ankesat e dërguara nga udhëheqësit e shkollave janë larguar tërësisht nga sistemi i procedimit pa vendim. Të njëjtat ishin dërguar në regjistër, pas vendimit të zv. Ministrit të arsimit Spiro Ristovski për mos ndryshimin e emrave të shkollave “Rajko Zhinzifov” dhe “Nikolla Vapcarov” në “Ismail Qemali” respektivisht “Imri Elezi”. Nga Regjistri tashmë disa ditë nuk pranojnë të prononcohen. Heshtje edhe nga Komuna Çairit, të cilës gjithashtu i janë adresuar ankesat. Kërkuam qëndrim nga Izet Mexhiti, por pa përgjigje. Nga ana tjetër, ministri i arsimit Pishtar Lutfiu, përmes telefonit tha shkurt se do të shqyrtojë ankesat ditëve në vijim.

“Do t’i shqyrtojmë ankesat. Do të komunikojmë me të gjitha palët për anashkaluar pengesat në këtë drejtim”, tha Pishtar Lutfiu, Ministër i Arsimit.

Një ditë para largimit nga posti i ministrit, ish udhëheqësi i këtij dikasteri Abdilaqim Ademi ka firmosur ndryshimin e emrave të këtyre shkollave kurse zëvendësi i tij Spiro Ristovski, ka shfrytëzuar hapësirën ligjore prej 24 orësh kur ky dikaster mbeti pa ministër, për të shfuqizuar vendimin. Mbetet e paqartë nëse vendimi i Ristovskit është ankimuar nga ndonjë institucion tjetër dhe mbi çfarë baze Regjistri Qendror i Republikës së Maqedonisë mban peng ndryshimin e emrave të shkollave. Çështja e emrave të shkollave në Çair daton prej vitesh. Dy prej këtyre emrave tashmë veçse janë zyrtarizuar. Sipas informacioneve të Alsat M, emri “Imri Elezi” është i papranueshëm për VMRO-DPMNE-në pasi që i njëjti është dëshmor i UÇK-së. Edhe pse në dy shkollat, “Rajko Zhinzifov” dhe “Nikolla Vapcarov” janë vendosur tabela me emrat “Ismail Qemali” dhe “Imri Elezi”, nxënësit e këtyre shkollave dëftesat i vazhdojnë t’i marrin me emrat zyrtarë./Alsat-M