Maska natyrale për një lëkurë plot jetë pavarësisht të ftohtit

Temperaturat e ulëta dhe i ftohti i dimrit janë gjithmonë problematike për lëkurën. Për ta mbrojtur fytyrën nga i ftohti, kujdesi për pastrimin, hidratimin dhë zbutjen duhet të jetë më i madh.

Më poshtë ju prezantojmë disa maska të thjeshta me anë të të cilave mund t’i jepni lëkurës butësi dhe shkëlqim, shkruan Living.

Luleshtrydhe dhe limon: Kjo maskë është ideale, nëse fytyra gjatë stinës së dimrit të skuqet nga i ftohti. Merrni disa luleshtrydhe, 2 lugë gjelle limon dhe 1 lugë gjelle mjaltë. Përzjejini mirë të gjithë përbërësit në një blender derisa të formohet një masë kompakte. Aplikojeni maskën në fytyrë dhe lëreni të veprojë rreth 20 minuta. Më pas, shpëlajeni me ujë të vakët. Luleshtrydhet përmbajnë acid salicilik, i cili parandalon çarjet e lëkurës, formimin e rrudhave dhe të akneve.

E verdhë veze, avokado dhe mjaltë: Merrni dy lugë çaji tul nga një avokado e freskët, dy lugë çaji mjaltë dhe një të verdhë veze. Të tre përbërësit vendosini në blender në mënyrë që të formohet një masë homogjene. Më pas, mund ta aplikoni maskën në zonën e fytyrës dhe qafës, duke e lënë të veprojë për 30-40 minuta. Shpëlarja e fytyrës duhet bërë gjithmonë me ujë të vakët, kurse fshirja me një peshqir pambuku.. Për një pastrim të hollësishëm dhe rezultate afatagjata, aplikojeni maskën dy herë në javë.

Qumësht i papasterizuar dhe mjaltë: Kjo është maska më e thjeshtë për t’u përgatitur. Mjafton të përzieni 5-6 lugë çaji qumësht me 2 lugë çaji mjaltë. Pastën e formuar, aplikojeni në pjesën e fytyrës dhe qafës, duke masazhuar me lëvizje rrethore për 5 minuta. Pas kësaj, lëreni të veprojë për 15 minuta të tjera. Kjo është mënyra më e lehtë për të trajtuar lëkurën e thatë gjatë dimrit

SHPËRNDAJE