Ndotja e ajrit në Shkup ka rritur kërkesën për maska mbrojtëse nëpër barnatore dhe shitoret që merren me shitjen e tyre. Çmimi i tyre sillet prej 200 deri 899 denarë (3,5 deri 15 euro) ndërsa më shumë kërkohen maskat me karbon që pastrojnë ajrin dhe i evitojnë grimcat PM 10.
“Maskat me karbon kushtojnë 899 denarë, por për momentin nuk kemi madhësi M dhe S, por vetëm L. Ka interes të madh për to dhe për këtë shumë shpejtë harxhohen. Deri më tani kemi porositur shumë, por janë shitur. Presim dërgesën e radhës”, thonë në një prej barnatoreve të “Zegin”.
Maska të madhësisë M dhe S nuk ka në asnjë barnatore të “Zeginit” në Shkup ndërsa L mund të gjendet vetëm në disa.
Se kërkesa për maska është rritur tregojnë edhe nga barnatoret e “Eurofarm” ku maskat kushtojnë 200 denarë dhe janë për disa përdorime.
Nëpër rrjetet sociale gjithashtu mund të vërehet numër i rritur i shpalljeve ku ofrohet jo vetëm shitje e maskave, por edhe pastrim i ajrit nëpër hapësira, si dhe bucela me oksigjen.
Qytetarët, përveç në barnatore dhe shitoret speciale, maskat i porositin edhe nga platforma për shitje online “Aliexpress”, ku kushtojnë 10 dollarë dhe janë me ngjyra dhe zbukurime të ndryshme.