Mbajtja e seancës së Kuvendit të Kosovës e thirrur nga LDK-ja për të shtunën, për zgjedhjen e qeverisë së re, do ta cenonte Kushtetutën e vendit.

Në këtë rast, Kuvendi duhet të veprojë vetëm atëherë kur Kushtetuesja del me një vendim të masës së përkohshme ose vendim final për interpretimin kushtetues të dekretit që presidenti Hashim Thaçi ia bëri Avdullah Hotit për kryeministër.

Kështu thotë njohësi i së drejtës Kushtetuese, Riza Smaka, sipas së cilit, subjektet politike që pretendojnë të bëjnë qeveri të re, duhet të mos veprojnë deri në një vendim të Gjykatës, pasi një subjekt politik, në këtë rast VV-ja ka kërkuar dje që të vendoset masa e përkohshme për pezullim të zbatimit.

Profesori Smaka thekson se Gjykata Kushtetuese ka mandat për të dhënë masë të përkohshme, që e ndalon formimin e Qeverisë deri në një vendim tjetër final.

“Në shtetin e së drejtës kur një subjekt politik iu ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese, atëherë do të duhej ndaluar për të pritur verdiktin e Gjykatës Kushtetuese dhe të veprohet. E jo të caktohet në rrethana ekstra të jashtëzakonshme, gjatë ditëve kur nuk punohet, ditëve festive, vetëm e vetëm për ta kap një afat në mënyrë tepër të përshpejtuar, urgjente që nuk është nevoja për atë. Prandaj, do të duhej pritej Gjykata Kushtetuese, dhe nëse nuk do të pritej, do të bëhej edhe aty një shkelje në mënyrë implicite e Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese ka autorizim për të dhënë masë të përkohshme, që e ndalon formimin e Qeverisë deri në vendosje sipas rregullave. Kjo pra nuk është e mirë as politikisht as në aspektin etik dhe as juridik”, theksoi ai.

Ndërsa, për mundësitë që kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani të jap dorëheqje para kësaj seance, profesori Smaka pohon se nuk mund të mbahet seanca për qeverinë e re pa kryetaren.

Sipas tij, së pari duhet të mbahet një seancë e veçantë për zgjedhjen e kryetarit ose kryetares së re, pastaj të veprohet me Rregulloren e Punës së Kuvendit për zgjedhjen e qeverisë së re, në frymën e opinionit të kushtetueses.

“Nuk do të mund të mbahej (seanca), megjithëse në qoftë se mungon kryetari ose kryetarja e kuvendit ose nuk mund të marrë pjesë, dhe kryesimin e bën një nga nënkryetarët, mirëpo në këtë rast nuk bëhet fjalë për mungesë dhe nuk do të ishte fare etike që të mbahej një seancë në mënyrë urgjente edhe nëse ajo do të jepte dorëheqje dhe të kryesojë një nga anëtarët e Kryesisë së Kuvendit. Do të duhej që për një seancë të veçantë për t’u zgjedhur kryetari/kryetarja e kuvendit, e më pastaj ekziston Rregullorja për punën e Kuvendit, më pastaj të veprohet me Rregullore të punës së Kuvendit. Në ndërkohë edhe Gjykata Kushtetuese do të jepte opinionin e vet”, thotë ai.

Profesori Smaka tha se e mbështet Gjykatën Kushtetuese që të jetë e shpejt dhe në mënyrë të veçantë ta trajtojë këtë çështje.

Edhe profesori i së drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu mendon se zgjidhja e qeverisë së re pa një interpretim të Gjykatës kushtetuese, do të mund të krijojë një rrezikshmëri për të pasur dy qeveri.

Sipas tij, Kushtetuesja sot duhet të definojë me një masë të mbrojtëse ose parandaluese situatën e krijuar në vend.

“Në qoftë se nuk merr vendim sot gjatë ditës së punës Gjykata e Kushtetuese për ta caktuar masën parandaluese ose mbrojtëse se në cilin afat do ta merr vendimin përfundimtar dhe ta parandaloj Kuvendin si dhe këto parti politike që po dëshirojnë të arnojnë zgjidhje improvizuese, do të thosha diskutabile në kuptim të dispozitave në fuqi të Kushtetutës dhe të vendimit të kësaj gjykate të vitit 2014, atëherë mund të kemi dy qeveri në të njëjtën kohë. Mund të kemi situata po ashtu që nuk dinë askush se ku na shpijnë dhe çka na ofrojnë… Pra, po situata të pa parashikuara, të dëmshme dhe me pasoja, madje do të thosha të pa qëndrueshme dhe eventualisht mos edhe të rrezikshme po krijohen në qoftë nuk veprohet shpejt dhe në mënyrë vendimtare sot nga Gjykata Kushtetuese për të caktuar një masë mbrojtëse”, deklaron Baraliu.

Profesori Baraliu po ashtu thotë se dorëheqja e mundshme e Vjosa Osmanit nga kryetarja e Kuvendit nuk është në kohën e duhur.

“Nuk do të ishte mirë që të implikohet, pa marrë parasysh tensionet që mund të jenë krijuar ose ndryshime në qëndrimet brenda për brenda grupacioneve politike, në këtë rast edhe brenda Lidhjes Demokratike për pikëpamje të ndryshme, nuk do të duhej që të preket Kuvendi në asnjë mënyrë dhe nuk do të duhej që të jepte dorëheqje nga kryetarja e kuvendit, sepse do të krijonte edhe një pikë tjetër neuralgjike të nxehtë politike në Kosovë, që edhe një institucione tjetër i cili është konstatuar tashmë dhe me vullnet politik të dy subjekteve politike që atëherë është krijuar, dhe me sukses po udhëhiqet nga kryetarja e tanishme. Pra, nuk është duhet që të bëhet presion nga askush drejt Kuvendit”, thotë ai.

Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se deri sot në orën 12:00 do të presë komentet për caktimin e masës së përkohshme për dekretin që presidenti Hashim Thaçi ia bëri Avdullah Hotit të LDK-së si kandidat për kryeministër. Derisa afati ka kaluar, askush nga të përfshirët në këtë rast nuk ka njoftuar publikisht nëse kanë dërguar komente në Kushtetuese.

Dje 30 deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dërguan në Kushtetuese dekretimin që Thaçi ia bëri Hotit për kryeministër. Ndër tjera, VV-ja kërkoi që të vendoset masa e përkohshme për pezullim të zbatimit./ksp/