tateshi

Shkruan:Bekim Tateshi

Kampionati evropian i futbollit, përveç bukurisë të lojës, etheve të fitores apo të humbjes, adrenalinës, shoqërimit, zbavitjes, analizave, përmban në vete edhe shumë mësheftësi që duhet ti detektojmë, ti përpunojmë dhe ç’është e mirë dhe e zbatueshme për nënqiellin tonë t’i aterojmë në trojet tona.
Duke e analizuar lojën Shqipëri – Zvicër (nuk mendoj këtu për taktikën, nderrimet, Canën, Sadikun apo Gashin, etj.) mund të biem konkluzione të shumta. Shqiptarët, si pasardhës direkt të Ilirëve, në gjenet e tyre kanë ruajtur vetinë e mbijetesës dhe trashëgiminë e kulturës të të parëve nëpër shekuj. Armiqtë duke tkurrur territoret e duke përfituar nga pasuritë natyrore dhe kultura e të jetuarit (psh. ilirët ndër të parët në Gadishullin Ilirik kanë konsumuar mishin e pjekur), si dhe duke parë se bëhet fjalë për popull inteligjent kanë bërë të pamundurën që të na asimilojnë, të na shkaterrojnë, të na zhdukin. Por, në këto momente në sipërfaqe ka dalur ekspresioni i gjenit ilirik dhe na ka mbajtur të gjallë në këto vise të turbullta.
Ky fenomen na ndodhi edhe gjatë shekullit të kaluar, por në mënyrë të sofistikuar na ndodh dhe sot, bile edhe me kontribut të politikëbërësve tonë dhe tkurrja vazhdoi edhepse armiqtë pa të drejtë na quajnë ekspanzionist, veti e tyre me shekuj. Shumë shqiptarë u detyruan të marrin rrugën e gyrbetit gati në të gjitha viset e botës. Por, kësaj rradhe armiqtë nuk i kalkuluan mirë gjërat. Shqiptarët gërshetuan kulturën e tyre me evropianët e amerikanët dhe përsëri mbajtën gjallë gjenin Ilirik, kësaj rradhe edhe më të fortë.
Meritokracia është një sistem social në të cilën pushteti apo statusi jepet sipas meritës (talent dhe përpjekje), sesa si rrjedhojë e klasës, gjinisë, moshës, etj. Zvicra në masë më të madhe, por edhe shtetet tjera në perëndim, këtë sistem e aplikojnë kohë të gjatë dhe kështu mundësuan që në sipërfaqe të dalë vlera, dija, talenti, inteligjenca dhe në kombinim me punë, mund, këmbëngulje mund të arrihet te caku. Meritokracia në Zvicër përqafoi edhe të huajt dhe vërtetoi se me lojalitet ndaj sistemit dyert i ke të hapuara në të gjitha sferat, gjë që, për fat të keq nuk mund ta gjejmë në viset tona. Numri aq i madh i lojtarëve të huaj në kombëtarën zvicerane vërteton këtë tezë vis-à-vis, kombëtares françeze, e cila, për habi eliminoi shumë lojtarë të huaj në moment të fundit për arsye jo të kuptueshme për mua.
Meritokracia duhet dhe mundet të jetë sistem që duhet të aplikohet në shoqërinë tonë. Ajo duhet të sundojë në çdo pore të jetës, në çdo çerdhe, shkollë, universitet, fabrikë, kompani, administratë, duhet të bëjmë çmos që mos t’i humbim më të mirët, më talentët, më punëtorët. Fenomeni De Biasi te kombëtarja jonë e bëri këtë se Duka dhe dukizmi e palaçot rreth tij, kurrë nuk do të bënin këtë, do vazhdonin ma avazin e vjetër, të luajë çuni i këtij apo i asaj, mito, keqpërdorime dhe rezultati i gjith kësaj do ishte të bëjmë tifo për ndonjë kombëtare krejt tjetër dhe pa ndjenja apo jo si këto që i përjetojmë sot.
Zvicra, poashtu duhet të jetë shembull dhe mënyrë e zgjidhjes të krizës në Maqedoni. Rregullimi shtetëror i saj i kopjuar me disa përshtatje do të na nxjerrte nga kjo humnerë, nga kjo shoqëri ku qelizat muskulore dominojnë ndaj atyre nervore, ku intervenca e zëvendëson punën dhe dijen, ku paraja hap çdo derë, ku qyramani shet mend, ku rrugaçi shet bon-ton, i padituri shkencë …
Unë jam për Meritokraci edhe atë MERITOKRACI ZVICERANE!