Fraksioni i BDI-së do të propozojë amendament në kuvend për zëvendësimin e 20%-shit me gjuhën shqipe në kushtetutë. Izet Mexhiti tha se përveç bashkëpartiakëve të tij nga BDI-ja të gjithë deputetët shqiptarë janë “pro” këtyre ndryshimeve dhe pret mbështetjen e tyre. Mexhiti në Programin 200 në Alsat, foli edhe për zgjedhjet në degën e Çairit për të cilat tha se po bëhen në kundërshtim me statutin dhe se po iu bëhen pengesa anëtarëve të fraksionit të mos mund të regjistrohen për votim.

“Nëse është problem për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian, pra është kusht të hapet kushtetuta dhe e shohim se është shumë problem të sigurohen 80 vota, kur do t’i sigurojmë këto vota në të ardhmen vetëm për ta heq formulimin 20% për gjuhën shqipe, këtë nënçmim ndaj shqiptarëve. Prandaj shoh se spektri politik, përveç bashkëpartiakëve të mi, edhe Aleanca që është pjesë e qeverisë, grupi i zjarrit, Besa, Alternativa pra i gjithë spektri politik pa BDI-në janë “pro” ndryshimeve kushtetuese por këto ndryshime të hiqet edhe 20%”, tha Izet Mexhiti, fraksioni i BDI-së.

Gazetarja: Pra, ju do të ndërhyni me amendament?

“Po, sepse fjalën e fundit e ka parlamenti. Qeveria mund të propozojë, por fjalën e fundit kur do të miratohen është e fundit e parlamentit dhe besoj si deputetë do të gjejmë vullnet politik, do të lobojmë edhe te partitë e tjera që të hiqet 20%”, u përgjigj Mexhiti.