Projekti “Mjeku rural” do të mbindërtohet. Ministria e Shëndetësisë do të trajnojë mjekë dhe infermierë shtesë për të dhënë ndihmë mjekësore nëpër vendet rurale ndërsa do të formohen ekipe me më shumë personel mjekësor që do të angazhohen nëpër zonat ku nuk ka ambulanca. Ministri i Shëndetësisë deklaroi se nga mesi i shtatorit në Koçan dhe Manastir do të fillojë implementimi i këtyre risive.

Një numër i konsiderueshëm i Ambulancave në gjithë vendin janë në gjendje të keqe infrastrukturore, janë të shkatërruara dhe të dështuara ndërkaq posaçërisht nëpër ambulancat në vendet rurale ballafaqohemi me mungesë të kuadrit si mjekë po ashtu dhe infermierë. Projektin e “mjekut rural” ne do ta mbi ndërtojmë sepse “mjeku rural” jepte vetëm një formë të shërbimit mjekësor dhe numri i mjekëve të cilët dalin në terren në zonat rurale është i pamjaftueshëm – deklaroi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Ndër ambulancat e shumta të cilat janë në gjendje të rëndë si infrastrukturore po ashtu dhe të kuadrit mjekësor është edhe ajo e Gjorçe Petrovit, për të cilën sot u nënshkrua marrëveshje bashkëpunimi mes komunës dhe ministrit të Shëndetësisë që ajo të ketë objekt të ri.

Planifikojmë që në katin e parë të objektit të ketë Ambulantë moderne adekuate ku koncesionerët e tanishëm të shërbimeve shëndetësore të transferohen në ambiente me kushte moderne për dallim nga tani që po punojnë në kushte nën standarde si të mos ishte shekulli 21 ai objekt – u shpreh Aleksandar Naumovski, Kryetar i komunës së Gjorçe Petrovit.

ALSAT ka raportuar disa herë për mungesën e Ambulancave nëpër zonat rurale. Në fshatin Jazhincë të komunës së Tearcës banorët me vite kërkojnë hapjen e një ambulance, ndërkaq banorët e fshatit Merovë të komunës së Zhelinës udhëtojnë rreth dhjetë kilometra për të mbërritur në Ambulancën më të afërt, banorët e Mesnicës në komunën e Zelenikovës po ashtu vuajnë mungesën e një hapësire ku do të mund të kryejnë kontrolle apo të marrin ndihmën e parë mjekësore. Ndërkaq ambulanca e Shuto Orizarës nuk i ngjason aspak një shtëpie shëndeti. Për të gjitha këto vështirësi që qytetarët i përjetojnë, ministria e Shëndetësisë thotë se nuk ka mjek të interesuar të cilët duan të punojnë nëpër zona të largëta nga qytetet.