Shkruan Vigjilent Leka

Ministrja për punë dhe politikë sociale, Rashela Mizrahi, në disa konferenca për shtyp është akuar se po merr ofendime në bazë të prejardhjes së saj etnike dhe racore. Zonja në fjalë është me prejardhje hebreje, dhe siç potencoi edhe vetë, ka afro 80 familjarë të vrarë gjatë Holokaustit. Ngjarje e tmerrshme!

Për ironi të fatit, zonja Mizrahi këto fakte i tregon dhe viktimizohet në konferenca ku paralelisht ka ndryshuar tabelën në ministrinë që përfaqëson, duke e vendosur tabelën me emrin e vjetër të shtetit, dhe me këtë duke e larguar mbishkrimin në gjuhën shqipe.

Mizrahi këtu ka bërë dy shkelje, njëra ligjore e tjetra morale. Shkelja e parë ka të bëjë me atë që duhet të respektohet Kushtetuta e vendit dhe Marrëveshjet ndërkombëtare që parashohin ndryshimin e emërimeve me emrin e ri kushtetues, Republika e Maqedonisë së Veriut. E dyta, shkelja morale është që kjo zonjë tregohet fashiste kundrejt shqiptarëve duke ua mohuar të drejtat elementare, siç është gjuha amtare, duke harruar që pikërisht ishin shqiptarët ata që i ndihmuan hebrenjtë kur gati të gjithë tentonin t’i shfarosnin.

Mizrahi nuk mund të jetë edhe viktimë e anti-semitizmit edhe fashiste e VMRO-së. Janë dy rrugë që nuk takohen me njëra tjetrën.