MIQËSORJA KOSOVË – ISHUJT FAROE E DRIDH SERBINË

Ndeshja miqësore Kosovë – Ishujt Faroe, e cila do të zhvillohet, të premten, më 3 qershor, në Frankfurt, në orën 20:00, duket se po e dridh Serbinë.

Në fakt, burime tona të afërta me organizatorët e kësaj ndeshje bëjnë të ditur se Serbia është përpjekur me të gjitha forcat që ta pengojë këtë miqësore, por nuk ia ka arritur qëllimit. “Serbia është e mllefosur në shtetin gjerman dhe në Federatën Gjermane të Futbollit (DFB) që i ka dhënë leje Kosovës për zhvillimin e kësaj ndeshjeje. Serbia, aludon se publiku kosovar që jeton në Diasporë është shumë nacionalist dhe e sheh si fajtorin kryesor për pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, pavarësisht kësaj shteti gjerman në përgjithësi dhe DFB-ja në veçanti janë të përkushtuara në përkrahjen e Kosovës në të gjitha proceset. Madje për DFB-në publiku kosovar është i shkëlqyeshëm dhe për këtë kemi dëshmi vitin e kaluar në dy ndeshjet që i zhvilloi Kosova në Frankfurt dhe Bremen”, ka theksuar burimi ynë. Miqësorja kundër Ishujve Faroe do të jetë ndeshja e parë e Kosovës pas anëtarësimit në UEFA dhe FIFA dhe një test i rëndësishëm për përzgjedhësin Albert Bunjaki, para kualifikimeve për Botërorin 2018, që fillojnë në shtator. Si çdo herë edhe kësaj radhe pritet që Kosova ta ketë një mbështetje të madhe nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe veprojnë në Gjermani dhe në shtetet përreth.