Shkruan:Mr. Besa Dogani

Nuk besoj të ekzistojë një nënë në botë e cila nuk e dëshiron më të mirën për fëmijët e saj, nuk besoj të ketë një grua e cila nuk dëshiron ta sheh popullin e saj të përparuar, të zhvilluar e të lumtur sepse në mesin e atij populli gravitojnë dhe bijtë e saj. Nuk besoj të ekziston një nënë e cila nuk ndjen dhimbje kur nga mos perspektiva i përcjell fëmijët e saj për në mërgim, fëmijët për të cilët sakrifikoi shumëçka, nuk ka nënë, sidomos shqiptare në Maqedoni e cila bën gjumë të rehatshëm duke mos qenë e sigurt për të nesërmen, për fatin e familjes së saj.

Nuk besoj të ketë bashkëshorte në Maqedoni e cila nuk vuan duke shikuar të shoqin e papunë, të mbytur në mendime e brenga. Ndërsa të tillë janë shumica e familjeve tona.

Nuk ka nënë shqiptare e cila nuk ëndërron që populli i saj të jetë në mesin e popujve evropian, aty ku dhe e ka vendin.

Por për zhvillim normal të një populli, midis faktorëve të shumtë ndikues do të veçoja dy: familjen e shëndoshë dhe arsimin cilësor.

Realiteti i hidhur për shqiptarët si pasojë e paaftësisë së udhëheqësve të tyre për të marrë hisen e merituar, tani e sa kohë reflekton dukshëm edhe në zhvillimin e familjes.

Përkundrazi paratë e arkës shtetërore të cilën me rregull e mbushin edhe shqiptarët jo vetëm që nuk arrijnë te vendbanimet shqiptare, por të njëjtat përdoren kundër tyre. Jemi dëshmitarë se shqiptarët paguajnë tatime që me paratë e tyre të fyhen, të degradohen dhe të shtrembërohet historia e tyre.

Shembull për këtë janë investimet e shumta në degradimin dhe fyerjen e popullit shqiptar përmes enciklopedisë maqedonase, teksteve shkollore madje edhe në pyetjet e testimit ekstern.

Vendbanimeve shqiptare u mungojnë teatrot, ambientet për sport dhe kulturë, u mungon përkujdesja sociale, profesionale. Shkollat tona janë mesjetare, pa tavane e dysheme, janë të ftohta, ngrohtësi në to rrezaton vetëm mbingarkimi me nxënës të cilët mezi se gjejnë karrige për tu ulur.  

Dhe të gjithë këto padrejtësi, pushtetarët, tash e sa mot janë mësuar ti mbulojnë duke krijuar “përbindësha e monstra” dhe të presin që shqiptarët e varfëruar ekonomikisht të harrojnë shpejtë dhe këto episode të tyre ti mbulojë vela e harresës.

Por gabohen rëndë, sepse shqiptarët në Maqedoni si pasojë e veprimeve të tyre mund të jenë të varfëruar, mund të jenë pa perspektivë të mirëfilltë, mund të jenë të lodhur e të zhgënjyer, por ata gjithsesi se nuk janë të shurdhër dhe nuk tolerojnë që dikush ti fyej e tua merr ardhmërinë. Shqiptarët kanë emër dhe nam të pakontestueshëm jo vetëm në Ballkan por edhe në tërë botën. Ata karakterizohen për besë, urtësi, mikpritje, tolerancë etnike dhe fetare.

Unë as që pretendoj se gjërat mund të ndryshojnë me shkop magjik, as që do të ndalojnë gojët e liga por do të luftoj që së paku kjo mos të realizohet në mënyrë institucionale.

Duke pasur shumë dyshim dhe skepticizëm që institucionet “vetvetiu” do të reagojnë dhe do ti përmirësojnë këto padrejtësi, me përkulje dhe sinqeritet i ftoj të gjitha femrat, qofshin bashkëshorte, nëna, motra apo gjyshe, që me aktivizimin e tyre shoqëror-politik të sjellin ndryshimin e merituar për shqiptarët sepse ato e ndjejnë më së miri dhimbjen e shkatërrimit të familjes dhe jam e bindur se ato nuk do ta lejojnë këtë!

(autorja  është anëtare e Kryesisë Qendrore në LR-PDSH)