Mjeku 32 vjeçar dhe aktivisti i shëndetit publik në shtetin e Miçigenit në SHBA, Abdulrahman Mohamed el-Sayed, ka shpallur kandidaturën si guvernatori i parë mysliman në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

 

I lindur në Gratiot County në vitin 1985 si fëmija i një familjeje emigrantësh nga Egjipti, Sayed është bërë kandidat për guvernator të Miçigenit, shtet ky në veri të SHBA-ve.

Sayed, i cili në shtator të vitit 2015 mori detyrën e drejtorit të Departamentit për Shëndetësi nën administrimin e kryebashkiakut të Detroitit, Mike Duggan, në deklaratën e tij në lidhje me kandidaturën tha se “U bëra kandidat sepse besoj se do të jem guvernatori më i mirë i Miçigenit, pa marrë parasysh jam apo nuk jam mysliman. Besimi im është shumë i rëndësishëm për mua, sepse e njëjta vlen edhe për shumë amerikanë dhe qytetarë të Miçigenit”.

Abdulrahman Mohamed el-Sayed theksoi edhe pse si nëpunës shtetëror vlerat islame janë në qendër të punës së tij, prioritet kryesor do të jetë shërbimi për qytetarët.

Nëse Sayed arrin të zgjidhet, krahas që do të jetë guvernatori i dytë më i ri i zgjedhur ndonjëherë, pas Bill Clintonit i cili në vitin 1978 u zgjodh si guvernatori më i ri në SHBA ndonjëherë, ai do të ketë edhe epitetin si “guvernatori i parë mysliman”.

Ndryshe, Sayed u diplomua me “sukses të lartë” në vitin 2007 nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Miçigenit, teksa në vitin 2009 fitoi gradën magjistër në Universitetin Columbia dhe gradën doktor në fushën e shëndetit publik në Universitetin e Oxfordit.