“Gjermania ‘duhet të mësojë si të sillet’ nëse dëshiron të ketë raporte të qëndrueshme me Turqinë”, ka thënë sot ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.

Ky reagim ka ardhur si pasojë pasi dy qytete gjermane ndaluan mbajtjen e fjalimeve të ministrave turk në takimin me përkrahësit e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, lidhur me acarimin e raporteve pasi Turqia arrestoi Deniz Yucel, një korrespodent i rëndësishëm të gazetës gjermane “Die Welt”.

“Pengimi i takimeve në Gjermani tregon sa shumë ky shtet dhe Perëndimi po veprojnë me standarde të dyfishta”, ka thënë ministri Cavusogly.

Qyteti gjerman Gaggenau, ka tërhequr lejen e mbajtjes së një takimi ku një ministër turk planifikonte të mbante fjalim për të kërkuar përkrahjen e 1.5 milionë qytetarëve turq për referendumin që do të mbahet në Turqi për zgjerimin e fuqisë së Erdoganit.