Për ish-prokurorin  Jovan Tërpenovskin është e qartë se ishte përgatitur skenarë për të mos votuar propozim-ligjet e PPS, sepse sipas tij, pushteti nuk dëshiron që kjo prokurori të bëjë punën e saj.

“Propozimet nga ana e Prokurores Publike Speciale, të shkrira në propozim për ndryshimin e ligjit për Prokurori Publike Speciale nga ana e opozitës, për mua ishte e pritur që nuk do të pranohen. Kjo ndodh sepse mendoj se bartësit e pushtetit nuk janë në disponim të përmirësohet puna e Prokurorisë Publike Speciale në planin juridik”, u shpreh Jovan Tërpenovski, Ish Prokuror.

Sipas Tërpenovskit, me refuzimin e këtyre dy propozimeve, PPS duhet të punojë me më tepër kujdes dhe intensitet.

Analisti politik Ismet Ramadani tha se mosvotimi i dy ligjeve nga shumica parlamentare ishte pritur dhe se kjo dërgon mesazhin e qartë  se VMRO – DPMNE-ja nuk largohet lehtë nga pushteti.

“Kjo kastë kriminale e VMRO – DPMNE-së duhet të demontohet, të gjinden forma tjera edhe më të ashpra demokratike dhe me ndihmën e ndërkombëtarëve, sepse tani kuptohet dhe është e qartë se kjo strukturë nuk largohet lehtë nga pushteti”, tha Ismet Ramadani, Analist politik.

Sipas tij,  nga mos votimi i këtyre dy ligjeve vihen në sprovë edhe dy rastet “Monstra” dhe “Sopoti”. Shumica parlamentare hodhi poshtë ndryshimet për ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe propozimin për ndryshimin e Ligjit për PPS, me të cilin kërkohej vazhdimi i afatit të hetimeve./tv21