NUMRI I RASTEVE AKTIVE SHKON NË 1.474

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga 1.129 testimet e kryera brenda 24 orëve të fundit, janë regjistruar 355 raste të reja me COVID-19. Gati gjysma prej tyre shënohen në Shkup. Nga 355 rastet e reja, 89 janë riinfektime.

Autoritetet e shëndetësisë njoftojnë për 145 pacientë të shëruar nga koronavirusi por edhe për dy viktima. Që nga fillimi I epidemisë, 9.329 qytetarë të RMV-së kanë humbur betejën me COVID-19.

Në vendin tonë dita ditës rriten shifrat e infektimeve të reja. Sipas MSH-së, gjatë fundjavës dhe së Hënës ishin shënuar 290 raste, të Martën – 293 kurse të Mërkurën – 266 infektime të reja, që ka cuar në 1.474 numrin e rasteve aktive.

Autoritetet e shëndetësisë rritjen e ndjeshme të infektimeve të reja e arsyetojnë me grumbullimet shumta, ahengjet, udhëtimet duke bërë thirrje për mbajtje të maskave në institucionet shëndetësore dhe transportin publik. Ndërkohë, nga e Mërkurë në Maqedoninë e Veriut ka nisur edhe imunizimi I qytetarëve me dozën e katërt të vaksinës kundër COVID-19.