Kujdesi institucional nuk është zgjidhja e duhur, sepse personat e përkujdesur janë larg vigjilencës së opinionit. Qeveria duhet që të përpilojë një strategji afatgjatë për përkrahjen e familjeve që dëshirojnë të adaptojnë apo të kujdesen për një fëmijë, thotë komisari për të drejta të njeriut në Këshillin e Evropës, Nils Muizhnieks, në intervistën për AIM lidhur me rastin me abuzimin ndaj vajzës 13-vjeçare nga Shtëpia “25 Maji”.

“Kujdesi institucional për fëmijët, veçanërisht për fëmijët romë, nuk është gjë pozitive për të drejtat e njeriut. Kur njerëzit  janë të ndarë nga shoqëria, ata janë larg syrit vigjilent të organizatave joqeveritare, mediave, shoqërisë, ndodhin çfarëdo lloj keqpërdorimesh. Kjo është arsyeja pse kudo që shkoj them se fëmijët nuk duhet që të jenë në qendrat shtetërore, por duhet të jetojnë në një mjedis familjar. Nuk duhet që të ekzistojnë shtëpi fëmijësh për jetimë, qendra speciale për fëmijë me handikap. Sepse ka një histori të gjatë të keqtrajtimit në këto qendra kudo në Evropë”, theksoi Muizhnieks.

Thotë se nuk është i njohur konkretish me rastin e “25 Majit” por konsideron se  në përgjithësi shtëpitë e fëmijës janë të rrezikshme për zhvillimin e tyre të mëtejshëm.

“Këta fëmijë më tej janë të destinuar për një jetë në të cilën janë të përjashtuar, të margjinalizuar nga shoqëria, sepse nuk e marrin të njëjtin arsimim si të tjerët, nuk i mësojnë të njëjtat gjëra, nuk fitojnë të njëjtat aftësi të jetesës, nuk kanë kontakt me fëmijët e tjerë dhe nuk rriten në mjedise familjare. Çfarë është mjedisi familjar? Përkujdesja  në familje aspo adaptimi. Qeveria duhet të përpilojë një strategji afatgjatë që të përkrahë familjet që duan të përkujdesen apo të adoptojnë fëmijë. Vetë në këtë mënyrë do t’i mbrojmë njerëzit. Ata janë shumë të brishtë dhe të ekspozuar në keqtrajtime, duke përfshirë edhe  abuzimet seksuale. Nuk kam dëgjuar konkretisht për këtë rast, por nuk jam i habitur se edhe në vende të tjera ka raste të abuzimeve në shtëpitë e fëmijës dhe në qendra”, thotë për AIM komisari për të drejta të njeriut në Këshillin e Evropës, Nils Muizhnieks. /Fol/