Në këtë rrugë nuk është investuar që 10 vite, ndërsa dëmtimi i saj është bërë më shumë gjatë luftës së vitit 2001, kurse më pas në shumë vende rruga është çarë nga erozioni i dheut.

Në shumë vende, rruga nga qyteti i Tetovës që çon në Qendrën turistike Kodra e Diellit, është e dëmtuar dhe paraqet vështirësi për drejtuesit e makinave, shkruan gazeta KOHA. Kjo rrugë më shumë është e stërngarkuar gjatë kësaj periudhe, pasi që edhe qarkullimi është më i madh, ndërsa dëmtimit i ndihmon edhe hedhja e rërës dhe kripës gjatë sezonit të dimrit, kur kjo rrugë duhet të mirëmbahet gjatë tërë kohës dhe të jetë e kalueshme. Edhe banorët që kalojnë në këtë rrugë, por edhe turistët një kohë të gjatë përballen me gropa, të cilët edhe dëmtojnë veturat, por edhe ngadalësojnë komunikacionin.

Vite me radhë në këtë rrugë nuk është bërë asnjë investim serioz deri në vitin e kaluar, kur filloi rikonstruimi në disa pjesë, por të njëjtat ende nuk kanë përfunduar dhe haste në shumë vështirësi, sidomos në ato pjesë ku nuk janë përfunduar rikonstruimet. Krahas qytetarëve dhe turistëve, në këtë rrugë lëvizin edhe banorët e dhjetëra fshatrave të Malësisë së Sharrit, si ata të fshatrave Shipkovicë, Brodec, Veshallë, Bozovcë, por edhe ata të pjesëve me të afërta Lisec dhe Gajre. Përderisa edhe këtë vit kjo rrugë do të jetë në këtë gjendje, autoritete shtetërore kanë paralajmëruar se gjatë pjesës së dytë të vitit të ardhshëm, do të rikonstruohet rruga Tetovë-Kodra e Diellit në një gjatësi prej 15 kilometra.

“Aktualisht është duke u përpunuar dokumentacioni teknik, i cila duhet të përfundojë deri në muajin mars të vitit 2008. Pas përpunimit të projektit, Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore, në bashkëpunim me Bankën Botërore, do të fillojë procedurën për zgjedhje të ndërmarrjes që do të kryejë punët në këtë rrugë. Rikonstruimi i kësaj rruge është pjesë e Ministrisë së Transportit për rikonstruimin e 12 rrugëve regjionale në vend”, njoftojnë nga Ministria e Transportit.

Në këtë rrugë nuk është investuar që 10 vite, ndërsa dëmtimi i saj është bërë më shumë gjatë luftës së vitit 2001, kurse më pas në shumë vende rruga është çarë nga erozioni i dheut. Disa riparime janë regjistruar para gjashtë – shtatë vitesh, ndërsa rikonstruim i tërësishëm nuk është bërë gati se dy dekada.

Ndryshe, rruga Tetovë – Kodra e Diellit, është e gjatë rreth 20 kilometra. Në këtë pjesë të rrugës, gjithashtu shpesh ndodh edhe erozioni i dheut që dëmton këtë rrugë, e cila është e vetmja që lidh Tetovën me fshatrat e Malësisë së Sharrit dhe Kodrën e Diellit. Autoritetet e Kodrës së Diellit, një kohë të gjatë kërkojnë që kjo rrugë të rregullohet dhe të sanohet nga gropat që mos ketë vështirësi gjatë qarkullimit për në këtë pikë turistike, e cila vetëm gjatë dimrit është e frekuentuar nga mijëra vetura dhe turistë vendor, por edhe të huaj. Krahas kësaj, po ashtu viteve të fundit kjo rrugë mjaft e pasigurt dhe janë rritur dukshëm aksidentet e trafikut, sidomos në ato pjesë ku ka erozion të dheut dhe në disa pjesë ku mungojnë, edhe mburojat prej metali që garantojnë më shumë siguri për drejtuesit e automjeteve që lëvizin në këtë aks rrugor. (koha.mk)