Suedia është një vend ku shumë shqiptarë kanë gjetur veten e tyre për të punuar, studiuar, zhvilluar aktivitete e gjithashtu ka edhe nga ata të cilët edhe kanë botuar libra.

Rashit Berisha, është nga fshati Ramun i Pejës dhe në Suedi ka ardhur në vitin 1992, ku shkak ishin vështirësitë ekonomike dhe represioni serb në atë kohë, për këtë u detyrua të emigrojë me famile. Ai është mësues në njërin nga qytetet e Suedisë i cili jep mësim në gjuhën shqipe në 8 shkolla fillore. Berisha thotë se në këto shkolla ka klasë me 1 deri në 7 nxënës dhe se mësuesi lëviz nga njëra shkollë në tjetrën.

Por Berisha nuk njihet vetëm si mësues, ai po ashtu ka botuar edhe tri libra që të zgjojnë kurreshtjen për të lexuar. “Kuriozitete” është libri i botuar në vitin 2014, “1000 thënie të arta”, i botuar në vitin 2015 dhe “500 dromca humori”, botuar në vitin 2016.

Libri “Kuriozitete”, lexuesve u ofron mundësi të shumta për zgjerim e begatim të dijes së tyre, që zgjon kërshërinë e tyre për të ditur sa më shumë për jetën. Ky libër ngërthen në vete 579 njësi ku përfshihet aeronautika, art, astronomi, bimësi, gjeografi, sport, ligj etj.

Libri “1000 thënie të arta”, ka të mbledhura disa nga thëniet e njërëzve të mençur, thënie anonime të cilat janë sa arsimuese po ashtu edhe edukative. Shembull “miqësia dhe dashuria janë më infektuese se sëmundja”, është njëra nga thëniet e përfshira në këtë libër nga Kagava.

Këtë libër e karakterizon e veçanta nga librat tjerë sepse ka të dhëna biografike dhe bibliografike për 164 autorë të të gjitha kontinenteve e vendeve të ndryshme, nga të cilët autori ka thithur nektarin nga mendësia e tyre.

Në librin “500 dromca humori”, autori thotë se pas dy librave të parë ka zgjedhur këtë libër që ngërthen në vete më tepër humor, por që janë më të kapshme për lexuesin.

Pra nga ajo që si rtklive.com kemi vërejtur këtu në Suedi, është se shumë shqiptarë janë aktiv çoftë me punën e tyre, çoftë me aktivitete e shkrime që është për t’i admiruar.