Shoqata e Organizatave Rinore nga Gostivari e filloi fushatën për dhurimin e pajisjeve elektronike për studentët nga familjet e rrezikuara sociale. Duke dhuruar pajisje të tilla, bashkëqytetarët e rinj do të jenë në gjendje t’i ndjekin mësimet onlajn.

Shoqata e Organizatave Rinore aksionin e zhvillon në bashkëpunim me vetëqeverisjen lokale, prej ku së fundmi kanë informuar se në komunën e Gostivarit rreth 800 nxënës janë jashtë procesit arsimor.

“Ky armik i padukshëm i goditi të gjithë. E ka goditur arsimin dhe procesin arsimor. Edhe pse shumica e studentëve kanë mundësi t’i ndjekin mësimet përmes internetit, ka nga ata që kanë qëndruar jashtë procesit arsimor për disa javë për shkak të statusit të tyre shoqëror. Kjo është arsyeja pse ne u bëjmë thirrje bashkëqytetarëve tanë, ndërmarrjeve dhe mërgimtarëve të dhurojnë laptopë, telefona dhe tabletë që nuk i përdorin, dhe kështu të bëhen pjesë e realizimit të ëndrrës së studentëve”, tha Vlora Demiri nga Shoqata e Organizatave Rinore.

Fushata dhe aktivitetet filluan sot dhe do të zgjasin deri të enjten. Pajisjet mund të sillen në selinë e komunës, nga ora 11 e mëngjesit deri në orën 2 pasdite, ku do të regjistrohet secila pajisje. Deri në fund të javës, do të dihet se cilat familje do ta marrin njërën nga pajisjet.