Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje!, Aida Dërguti, ka bërë me dije se edhe kjo lëvizje do ta bojkotojë Kuvendin, por jo sikurse AAK-ja dhe Nisma.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Dërguti ka vlerësuar se ndryshe prej këtyre dy subjekteve politike, VV-ja do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit vetëm kur është e nevojshme. “Qëndrimi ynë nuk është shumë ndryshe nga subjektet e tjera opozitare. Edhe ne jemi duke e bojkotuar Kuvendin, por do të jemi aty në rastet kur është e nevojshme për të penguar vendime të dëmshme për interesat e qytetarëve dhe të vendit. Situatat politike nuk janë fikse dhe ne do të vendosim nga seanca në seancë për këtë”, ka thënë Dërguti.
Duke folur rreth ofertës së paralajmëruar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, për opozitën, Dërguti ka thënë se nuk janë në treg për të pranuar oferta dhe as nuk mendojnë që ofertat e Veselit shpijnë drejt zgjidhjes së krizës. “E vetmja rrugë për daljen nga situata aktuale janë zgjedhjet e reja. Ne nuk jemi në treg për të pranuar oferta dhe as nuk mendojmë se ofertat e Kadri Veselit shpijnë drejt zgjidhjes së krizës. Kriza është shkaktuar për shkak të dy marrëveshjeve antikushtetuese dhe të dëmshme për Kosovën. Kriza mund të zgjidhet vetëm me dorëheqjen e pakusht të Qeverisë dhe anulimin e marrëveshjeve. Republikës nuk i duhen ofertat e Kadri Veselit, por i duhet një alternativë e re e cila nuk vepron kështu siç kanë bërë deri më tash këta qeveritarë dhe që angazhohet e sjell përmirësim tek jeta e qytetarëve të vet”, është shprehur Dërguti.
Sa i përket protestës së opozitës, që do të mbahet këtë të shtunë, Dërguti ka thënë se ajo do të jetë masive dhe paqësore. “Presim që ajo të jetë masive dhe madhështore dhe, po ashtu, që kërkesat e saj të realizohen. Kemi dëshmuar se kërkesat tona janë të drejta, kurse kjo qeveri ka dëshmuar vetëm dhunë e mjerim për qytetarët. Ata që e kanë zbrazur Kosovën, ata që e kanë lulëzuar atë me korrupsion dhe që nuk e respektojnë as Kushtetutën, por përkundrazi e shkelin me dhjetëra herë brenda një marrëveshjeje, duhet të shkojnë. Për këtë angazhohemi dhe për këtë po protestojmë. Protesta do të jetë paqësore”, ka deklaruar Dërguti.
Ndërsa për komisionin ndërkombëtar të themeluar nga presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, për verifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, ajo ka vlerësuar se rruga e zgjidhjes së çështjes së demarkacionit nëpërmjet një komisioni ndërkombëtar është e gabuar. “Mendojmë se ky komision veç sa e legjitimon komisionin paraprak”, ka thënë Dërguti.

“Epoka e re”: Znj. Dërguti, është paralajmëruar mbajtja e një seance parlamentare këtë të enjte. Do të marrë pjesë Lëvizja Vetëvendosje!?
Dërguti
: Jo, nuk do të marrim pjesë në këtë seancë. Tashmë ia kemi bërë të qartë edhe opinionit publik, se rrethanat dhe çështjet që do të sillen në Kuvend do të na diktojnë të marrim vendim për shkuarje apo bojkotim të seancës.

“Epoka e re”: AAK-ja dhe Nisma kanë bërë me dije se më nuk do të marrin pjesë në seanca parlamentare në këtë mandat. Pse VV-ja ka qëndrim ndryshe nga këto dy subjekte politike për këtë çështje?
Dërguti:
Qëndrimi ynë nuk është shumë ndryshe nga subjektet e tjera opozitare. Edhe ne jemi duke e bojkotuar Kuvendin, por do të jemi aty në rastet kur është e nevojshme për të penguar vendime të dëmshme për interesat e qytetarëve dhe të vendit. Situatat politike nuk janë fikse dhe ne do të vendosim nga seanca në seancë për këtë.

“Epoka e re”: Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Kadri Veseli, ka paralajmëruar se shumë shpejt do të prezantojë një ofertë për opozitën, e cila parasheh tejkalimin e krizës politike. Cili është qëndrimi i opozitës karshi kësaj oferte e cila ende nuk dihet se çfarë përmban?
Dërguti:
E vetmja rrugë për daljen nga situata aktuale janë zgjedhjet e reja. Ne nuk jemi në treg për të pranuar oferta dhe as nuk mendojmë që ofertat e Kadri Veselit shpijnë drejt zgjidhjes së krizës. Kriza është shkaktuar për shkak të dy marrëveshjeve antikushtetuese dhe të dëmshme për Kosovën. Kriza mund të zgjidhet vetëm me dorëheqjen e pakusht të Qeverisë dhe anulimin e marrëveshjeve. Republikës nuk i duhen ofertat e Kadri Veselit, por i duhet një alternativë e re e cila nuk vepron kështu siç kanë bërë deri më tash këta qeveritarë dhe që angazhohet e sjell përmirësim tek jeta e qytetarëve të vet.

“Epoka e re”: Është afruar data 26 mars, kur do të mbahet protesta e radhës e opozitës. Çfarë pritni nga kjo protestë dhe a do të jetë paqësore?
Dërgu
ti: Kundërshtimi ynë për marrëveshjet kriminale të nënshkruara në Bruksel dhe Vjenë ka bërë gjysmë viti rezistencë. Protesta e 26 marsit është në vazhdën e protestave për kundërshtimin e kësaj qeverie antikushtetuese e cila ka humbur çdo legjitimitet. Ne presim që ajo të jetë masive dhe madhështore dhe, po ashtu, që kërkesat e saj të realizohen. Ne kemi dëshmuar se kërkesat tona janë të drejta, kurse kjo qeveri ka dëshmuar vetëm dhunë e mjerim për qytetarët. Ata që e kanë zbrazur Kosovën, ata që e kanë lulëzuar atë me korrupsion dhe që nuk e respektojnë as Kushtetutën, por përkundrazi e shkelin atë me dhjetëra herë brenda një marrëveshjeje, ata duhet të shkojnë. Për këtë angazhohemi dhe për këtë po protestojmë. Protesta do të jetë paqësore, ashtu siç edhe bëjmë thirrje gjithmonë.

“Epoka e re”: Presidentja Jahjaga ka formuar një komision ndërkombëtar për verifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi. Do ta pranojë opozita rezultatin e këtij komisioni?
Dërguti:
Së pari nuk është shfuqizuar komisioni paraprak dhe nuk është kthyer gjendja në pikën zero. Tani pa dashur ta paragjykojmë rezultatin, rruga e zgjidhjes së çështjes së demarkacionit përmes një komisioni ndërkombëtar është e gabuar. Aty në fakt nuk ka ekspertë vendorë. Ata që janë caktuar nuk janë duke diskutuar në baza të ekspertëve, por janë duke folur politikisht për të gjetur një zgjidhje. Ne mendojmë se ky komision veç sa e legjitimon komisionin paraprak. Metodologjia e përdorur është e pasaktë dhe nuk mund të sjellë rezultate të drejta.