Në USHT numër rekord i “mjekëve” të diplomuar, por askush nuk i ka mësuar as inekcion të japin?!

USHT

Sipas të dhënave të Entit të Statistikave për numrin e të diplomuarve në 2015, Universiteti i Tetovës mban rekordin me diploma të mjekësisë. Nga 986 të diplomuar në UT, 217 ose 22 për qind janë nga shkencat e mjekësisë. Në këtë pikë UT ka lënë shumë prapa edhe Universitetin “Kirili dhe Metodi” të Shkupit, ku numri i të diplomuarve në mjekësi nuk kalon 5 përqindëshin. Pra, nga gjithsej 3417 të diplomuar në UKM, vetëm 176 janë në Fakultetin e Mjekësisë, shkruan gazeta KOHA

Universitetet publike vazhdojnë të mbajnë peshën më të madhe të kualifikimeve me arsim të lartë në Maqedoni, pasi mbi 75 për qind e të diplomuarve në vitin 2015 kanë dalë pikërisht nga universitetet shtetërore. Mirëpo, vështruar në aspektin e fushës së studimeve, jo të gjitha universitetet i kanë orientuar politikat e tyre në të njëjtin drejtim. Të dhënat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave tregojnë se numri më i madh i të diplomuarve brenda Universitetit të Tetovës (UT) janë nga shkencat e mjekësisë edhe atë plot 22 për qind. Pra, nga 986 të diplomuar të UT-së në vitin 2015, 217 kanë marrë diplomat e mjekësisë.

Është krejt diçka tjetër çështja e cilësisë së kuadrove që prodhojnë universitetet e që sigurisht ka mekanizma të tjerë klasifikimi sikurse janë ranglistat në nivel shtetëror dhe ndërkombëtar. Mirëpo, e parë në drejtim të sasisë së kuadrove nga mjekësia, për momentin UT mban rekordin në Maqedoni./KOHA