Netflix ka ofruar punë për pozicionin e stjuardesave për një ndër avionët e tij privatë dhe paga shkon deri në 385,000 Dollarë në vit. Gjiganti i transmetimit thotë se po kërkon kandidatë me aftësi të jashtëzakonshme ndaj klientit.

“Paga mesatare e tregut për këtë rol është zakonisht 60,000 – 385,000 Dollarë. Kjo gamë tregu bazohet në kompensimin total (kundër vetëm pagës bazë), e cila është në përputhje me filozofinë tonë të kompensimit,” tha Netflix në një listë pune në faqen e saj të internetit.

Kompania tha gjithashtu se pagën e një punonjësi e përcakton duke marrë në konsideratë “faktorët e kompensimit”, si prejardhja, përvoja dhe aftësitë e tyre.

Qendra e avionit është San Jose, Kaliforni dhe kërkohet që stjuardesat të jenë të gatshme të udhëtojë brenda dhe përtej SHBA-së.

“Departamenti i Aviacionit Netflix ofron transport ajror të jashtëzakonshëm, të sigurt dhe konfidencial,” tha përfaqësuesi i kompanisë.

Detyrat e stjuardesave do të përfshijnë inspektimin e pajisjeve të urgjencës në kabinë para nisjes. Ata gjithashtu do të duhet të jenë në gjendje të ngrenë sende të rënda deri në 13.6 kg për mbarëvajtjen e udhëtimit.

Sipas Byrosë Amerikane të Statistikave të Punës, paga mesatare për stjuardesat në SHBA është pak më shumë se 62,000 Dollarë në vit.

BBC raporton se kur një zëdhënës i Netflix u kontaktua nga media, tha se kompania “nuk do të komentojë” mbi detajet se si llogarit pagën e punonjësve të saj./tvklan.al