Duke folur në lidhje me këtë çështje, analisti politik Nexhat Haziri, ka thënë se nëse partia e Fatmir Limajt, del me kandidat të saj, në Kosovë do të rrjedhin zhvillime të reja, sa i përket formimit të institucioneve.

Nisma për Kosovën mund të dal më propozimin e saj për kryetar të Kuvendit të Kosovës, në rast të dështimit të parë të Kadri Veselit, i cili do të kandidojë për këtë post në seancën e 3 gushtit.

Kështu ka deklaruar deputeti nga radhët e Nismës për Kosovën Milaim Zeka, ditë më parë në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, në të cilin ka përmendur gjasat që para seancës së 3 gushtit të lidhet koalicioni me shkrim ndërmjet Aleancës Kosova e re dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke përfshirë këtu edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Sipas tij, nëse krijohet kjo marrëveshje, zhvillimet politike do të marrin kahje tjera politike, duke përmendur këtu mundësinë që Nisma të del me një propozim të vetin për kryetar të Kuvendit.

“Ka mundësi që edhe NISMA të dalë me një propozim të vetin për kryetar të Parlamentit, pasi që ky post i takon PAN-it, po jo PDK-së”, ka shkruar Milaim Zeka.

I kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, deputeti Zeka ka sqaruar se në rast të dështimit, kryetari i PDK-së nuk duhet të bllokojë institucionet, por sipas tij, duhet të lëshoj rrugë për një kandidat tjetër brenda PAN-it.

“Unë kam thënë se në raundin e parë në qoftë se Kadri Veseli nuk kalon, nuk duhet të bllokohen institucionet e Kosovës, ai duhet me hap rrugën dhe duhet vet Kadri Veseli brenda PAN-it të gjejë një kandidat tjetër, i cili do të jetë i pranueshëm edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës, Lëvizjen Vetëvendosje dhe PAN-in. Kaq kam thënë , kaq po e ripërsëris”, ka deklaruar Zeka.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Enjten në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)