Ngjyrat janë të lidhura ngushtë me ndjenjat tona. P.sh, kur ne veshim një fustan të zi klasik, ndihemi menjëherë shik dhe seksi. Ne reagojmë në mënyra të ndryshme kur bëhet fjalë për ngjyrat. P.sh, sapo shohim të kuqen, na shtohen të rrahurat e zemrës, sepse ajo është një ngjyrë stimuluese. Ky reagim i rrënjosur në gjenet tona i ka rrënjët që në lashtësi, kur njerëzit ndiznin zjarre nëpër shpella. Mënyra si vishemi, ndikon në humorin tonë, ndaj disa psikologë besojnë te “veshje-terapia”. Pra, ngjyrat mund të përmirësojnë humorin tuaj, kështu që nëse keni dëshirë të ndryshoni pozitivisht këndvështrimin e gjërave, luani me këto ngjyra kur të zgjidhni rrobat, makijazhin dhe aksesorët shoqërues:

E KUQJA është ngjyra seksi dhe e çmendur që shkakton emocione të fuqishme si frika, zemërimi apo pasioni. Ndryshe nga e verdha që është ngjyra e diellit, e kuqja tregon ndryshime dramatike kur e zbut disi, si për shembull kur e çel me rozë ose e errëson me vishnje të errët. Buzët e kuqe mund të jenë aksesori më i mirë, sidomos nëse jeni veshur në të zeza.
Doni të gjeni paqe pas një dite të mbingarkuar? Kaloni në diçka BLU. Nga pikëpamja psikologjike, kjo ngjyrë përfaqëson të kundërtën e së kuqes; ul tensionin e gjakut, por jo deri sa të kalojë në stres. Ndoshta sepse nëse shohim në natyrë, qiellin ose detin, p.sh, bluja e tyre na përcjell qetësi. Pikërisht kjo na përshkon mendjen dhe kur vishemi në hijet e blusë. Një rast tjetër kur mund të përfitoni nga ngjyra blu? Nëse jepni një intervistë pune ose takoni për herë të parë prindërit e të dashurit. Ngjyra blu përfaqëson besimin dhe fuqinë shpirtërore.

Nga bari te gjethet ose gjithë çfarë përfaqëson bota e bimësisë, ngjyra E GJELBËR lidhet ngushtë me mjedisin dhe ju bën të ndiheni gjithnjë të freskët. E gjelbra shkon me të gjitha llojet e lëkurave dhe ka nuanca që të lejojnë t’i ndryshosh herë pas here. Ato kalojnë nga serioze e të sofistikuara, në të freskëta dhe të shndritshme
.
Ngjyra E VERDHË mbart si ngarkesa pozitive, ashtu dhe negative – që nga rrezet e diellit që shpalosin hare e optimizëm, por dhe errësim të arsyes e turbullim. Veshja e ngjyrës së verdhë të shndritshme shpesh ndihmon të jesh në qendër të vëmendjes.

PORTOKALLIA është zëvendësuesja më e mirë në rast se nuk ndiheni rehat me të kuqen. Por askush nuk mund ta mohojë që kjo ngjyrë nuk tërheq shumë vëmendjen. Ngjyra portokalli është më e përshtatshme për përdorim të përditshëm, sepse është tejet e ndezur dhe ndoshta do ishte më mirë të përdorej për rastet kur shkojmë në palestër ose një aktivitet tjetër fizik. Portokallia stimulon entuziazmin dhe kreativitetin, simbolizon gjallërinë e durimin.
Kurse ngjyra E PURPURT simbolizon luksin, sipas disa psikologëve. Sa herë doni të fitoni pak vetëbesim, si p.sh, kur shkoni në një intervistë pune, vishni diçka në nuancat e kësaj ngjyre. Nëse keni fytyrë të freskët, që duket shumë e re, por doni të dukeni më e sofistikuar, përdorni të purpurtën për t’u dukur më e pjekur.