Nga Shkëlqim Ajdini
Imagjinoni në një ndeshje futbolli, pas pauzës mes pjesëve, kapiteni i njërit ekip të kërkojë nga gjyqtari i ndeshjes penallti, ani pse ndeshja ende s’ka rifilluar.

Arsyetimi i kapitenit në këtë rast të ishte se ndjehet më ‘superior’ se ekipi kundërshtar dhe se nuk e njeh atë! Po, po, e lexuat mirë!

Kur është zhvilluar gjysma e lojës, njëri ekip ende pretendon se nuk e njeh dhe nuk e pranon ekipin tjetër që e ka përballë, prandaj ka kërkesa të çuditshme.

Çudia vazhdon kur gjyqtari i ndeshjes pranon këtë kërkesë absurde dhe i kërkon ekipit të dëmtuar që të zbret në fushë dhe ta ‘mbrojë penalltinë’.

Natyrisht kjo nuk pranohet nga ekipi i dëmtuar në këtë rast, dhe krejt çka kërkohet është rifillimi i lojës brenda rregullave zyrtare dhe të barabarta. Kërkohet trajtim i dinjitetshëm nga gjyqtari dhe pa hile.
….

Ky shembull imagjinar është pasqyrimi i asaj çfarë ndodhi më 14 shtator në Bruksel, në vazhdën e dialogut Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e BE (lexo: gjyqtarit), konkretisht Borrell e Lajçak.

Gjyqtari Lajçak ishte “pozicionuar” dukshëm kundër Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti zbuloi se gjatë atij takimi, që përfundoi pa një rezultat, dukej që kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe Lajçakut për, siç tha ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.

Kurti tha se Lajçaku “ka deformuar” procesin e dialogut, duke thënë se ai nuk është përqendruar në zbatimin e plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes drejt normalizimit, por ka lejuar “që qerrja të vihet para kuajve, Asociacioni i komunave një herë, e pastaj shohim”.

Pra, duke krahasuar me ndeshjen imagjinare, Asociacioni në këtë rast është ajo penalltia në favor të Serbisë, pa u shkaktuar ‘ndërhyrja’ në fushën e lojës.

Qesharakja dhe e çuditshmja në të njëjtën kohë është se kapiteni i Serbisë, Vuçiç, pretendon se nuk e njeh ekipin e Kosovës, ani pse ka pranuar të ndeshet me të!

E, Vuçiç me përkrahjen e gjyqtarëve të BE, si kompromis po e sheh akordimin e penalltisë (Asociacionit).

Pala kosovare krejt çka kërkon është që rrjedha e ndeshjes (dialogut) të shkojë sipas rregullave dhe në normalitet. Të rifillohet nga e para – nisja e topit në kushte të barabarta.
…..

Duke parë krejt këtë çrregullim dhe devijim të procesit, Bashkimi Evropian ka nevojë urgjente për një VAR (ndihmë për t’i rishikuar momentet diskutabile).

Meqenëse gjyqtarët nuk po shihen si të aftë ta kontrollojnë ndeshjen (procesin), VAR-i do të kryente punë për rivendosjen e rregullave dhe trajtimin e barabartë të dy palëve.

Pa një rishikim të momenteve, procesi rrezikon të ndërprehet.

Faji nuk mund t’i lihet palës së dëmtuar, se nuk lëshoi pe për ‘dhuratat’ e gjyqtarëve në koordinim me palën tjetër.