Studentët nga Turqia që studiojnë në Maqedoni janë të shokuar pas vendimit të Ankarasë për të shfuqizuar marrëveshjen mes dy vendeve, për njohjen e diplomave në të gjitha nivelet arsimore.

I riu turk Fatih Durmaz, i cili është viti tretë në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup për Alsat M thotë se askush nuk i ka informuar studentët se çfarë po ndodh.

Unë jam nga Turqia, studioj këtu mjekësi të përgjithshme. Kam lexuar lajmin në internet, ne jemi të shqetësuar, nuk e dimë se çfarë do të ndodhë. Jemi të habitur të gjithë studentët – tha Fatih Durmaz, student nga Turqia në Maqedoni.

Vendimin e autoriteteve turke e nënshkroi presidenti Rexhep Tajip Erdogan dhe i njëjti hyn në fuqi më 11 shkurt. Në të thuhet se marrëveshja e nënshkruar në vitin 1998 për njohjen ndërshtetërore të diplomave për arsimin e mesëm dhe të lartë, masterit dhe të doktoratursë shfuqizohen.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup thonë se bëhet fjalë, vetëm për ndryshimin e një mase ligjore, duke shpjeguar se është shfuqizuar marrëveshja dypalëshe midis dy vendeve dhe se nga tani e tutje diplomat do të njihen sipas Konventës së Lisbonës – një marrëveshje shumëpalëshe që e rregullon njohjen e diplomave të arsimit të lartë në Evropë.

MPJ nuk ka sqaruar nëse kjo do të zbatohet edhe për diplomat e shkollave të mesme dhe do të aplikohet vetëm për diplomat universitare, pasi Konventa e Lisbonës mbulon vetëm çështjet e njohjes së arsimit të lartë.

Konventa e Lisbonës, neni 4.1

Secila palë do të njohë kualifikimet e lëshuara nga pala tjetër, që i plotëson kushtet e përgjithshme për qasje në arsimin e lartë...”.

Nga ministria e Arsimit nuk dëshirojnë të komentojnë përse është ndërprerë njëanshëm marrëveshja dypalëshe dhe cilat do të jenë pasojave e një veprimi të tillë.

Vendim i Turqisë vjen pasi autoritetet e Maqedonisë nuk ndërmorën masa konkrete me kërkesë të autoriteteve turke për të mbyllur shkollat ​​dhe fondacionet, për të cilat Ankaraja i konsideron se kanë lidhje me lëvizjen e klerikut Fetullah Gylen./Alsat-M/.