Rilindja Demokratike Kombëtare në kontinuitet ka qenë avangarde në qëndrimet e saja publike dhe ka anticipuar shumë fenomene politike që e kanë karakterizuar organizimin shoqëror dhe politik në vend. Rilindja Demokratike Kombëtare për të satën herë pati deklaruar se nuk ka zgjedhje pa zgjidhjen e shumë problemeve që e kanë ngulfatur vendin gjatë kësaj periudhe të fundit kohore. Takimi i fundit me ndërmjetësimin e komisarit Han që u mbajt mbrëmë në Përzhino, konfirmoi edhe njëherë se vendi nuk është i gatshëm për zgjedhjet e 24 prillit pa zgjidhjen e një sërë problemesh që e kanë karakterizuar vendin. Të gjith ne jemi dëshmitarë se Maqedonia në vazhdimësi ka organizuar zgjedhje të parakohshme duke premtuar zgjidhjen e shumë problemeve të krijuara në vend, por tani janë pjekur kushtet e nevojshme që sëpari të zgjidhen problemet e krijuara nga këta aktorë politik, dhe më pas të shkohet në zgjedhje. Rilindja Demokratike Kombëtare nuk do të marr pjesë në zgjedhje pa zgjidhjen e problemeve kruciale të shkaktuar nga vet aktorët që tentojnë të organizojnë zgjedhjet.

Rilindja Demokratike Kombëtare në kontinuitet ka theksuar se aktorët politik që e krijuan këtë krizë të thellë politike në vend nuk mund të jenë shpëtimtarë të zgjidhjes së krizës politike, dhe tani kjo u vërtetua edhe më shumë në takimin e mbajtur në Përzhino. Lojërat e ulëta politike të këtyre aktorëve politik, të gjitha për interesa personale dhe partiake, do të kenë një kosto të lartë për vendin, prandaj ndërhyrja e komunitetit ndërkombëtarë është imanente sepse në të kundërtën kostoja do të jetë e madhe edhe për komunitetin ndërkombëtarë. Vendi, dhe rajoni, ndodhet para sfidave të mëdha dhe për këtë arsye urgjentisht kërkohet angazhim maksimal i të gjitha forcave progresive, pavarsisht se nga vijn, sepse në të kundërtën forcat destruktive, pavarsisht se ku gjenden, mund të shkaktojnë rrëmujë të paimagjinueshme.

Shërbimi për Informim – RDK,

rdk