Presidenti amerikan, Barack Obama pranoi sot se kishte nënvlerësuar ndikimin që mund të ketë pasur një fushatë piraterie dhe keqinformimi në demokraci, dy ditë pas një raporti të shërbimeve sekrete amerikane për ndërhyrjen e Rusisë në fushatën zgjedhore.

Në një intervistë për stacionin televiziv ABC, presidenti amerikan ka mohuar të ketë nënvlerësuar homologun rus, Vladimir Putin, që sipas spiunëve amerikanë ka drejtuar këtë fushatë sulmesh informatike dhe manipulimesh të medias destinuar për favorizimin e zgjedhjes së Donald Trump në kurriz të Hillary Clinton.

“Por, mendoj se kam nënvlerësuar faktin se si në këtë epokë të re të informacionit, keqinformimi, sulmet informatike dhe këto lloj gjërash të kenë një ndikim në shoqëritë tona të hapura, që ndërhyjnë në praktikat tona demokratike”, deklaroi Barack Obama duke shtuar se kjo tendencë do të përshpejtohet, përcjell Atsh.

Presidenti amerikan në ikje, Barack Obama foli gjithashtu dhe për trupat amerikane në Afganistan duke theksuar se vendimi më i vështirë në dy mandatet e tij ka qenë dërgimi i 30 000 trupave në vitin 2010.

“Vendimi më i vështirë ka qenë në fillim të presidencës time kur kam urdhëruar dërgimin e 30 000 trupave shtesë në Afganistan”, theksoi Obama gjatë intervistës për stacionin televiziv amerikan ABC.