Presidenti amerikan, Barack Obama, ka vazhduar sankcionet ndaj shumë figurave të njohura të politikës shqiptare, por jo vetëm, për të cilët njihen si armiqësore ndaj marrëveshjeve të mbështetura nga SHBA: si Marrëveshjen e Ohrit, Marrëveshjen e Dejtonit në Bosnjë dhe që në një farë mënyre mbështesin dhunën ekstremiste në Ballkanin Perëndimor.

“Kërcënimi i përbërë nga veprimet e personave të angazhuar në, apo që ndihmojnë, sponsorizojnë, ose mbështesin dhunën ekstremiste në Republikën e Maqedonisë dhe në vende të tjera në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ose aktet që pengojnë zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnjë dhe Herzegovina ose Rezolutën e Kombeve të Bashkuara e Këshillit të Sigurimit 1244 të 10 qershorit të vitit 1999, në Kosovë, nuk është zgjidhur. Përveç kësaj, Urdhri Ekzekutiv 13219 i ndryshuar me Urdhrin Ekzekutiv 13304 të datës 28 maj 2003, për të marrë hapa të tjerë në lidhje me aktet që pengojnë implementimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të vitit 2001 në lidhje me Maqedoninë.

Për shkak se aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetit pengues të përshkruara në këto Urdhëra ekzekutive janë armiqësore ndaj interesave amerikane dhe vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, unë kam vendosur se është e nevojshme për të vazhduar emergjencën kombëtare të deklaruar në lidhje me Ballkanin Perëndimor” – shkruan mes tjerash presidenti Obama.

Kryetarë partish dhe ish deputetë shqiptarë në Listë

Lista e personave në “Listë të zezë” mund të gjendet në OFAC (Office for Foreign Assets Control), ndaj të cilëve sipas Urdhërit Ekzekutiv 13219 sipas të cilës u bllokohet pasuria personave dhe organizatave të cilat kërcënojnë përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim të Ballkanit Perendimor. Në listë gjenden edhe shumë figura të njohura dhe kyqe të politikës shqiptare në Maqedoni si kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish deputeti i BDI, Xhevat Ademi, ish ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski si dhe Nevzat Halili, themeluesi i PDK Kastriot Haxhirexha, Shefit Xhaferi, Komandant Hoxha (Xhezair Shaqiri), Gafur Adili, Nuri Bexheti, Xhavit Hasani, Daut Rexhepi – Leka, Izair Samiu, Avdyl Jakupi – Çakalla, si dhe Armata e Republikës së Iliridës. Shumica e tyre janë pjesë e listës prej disa vitesh, informon zhurnal.mk.

Nga Kosova dhe rajoni në “listën e zezë” të nënshkruar nga Obama vazhdojnë të figurojnë: Fatmir Limaj, Daut Haradinaj, Sami Ukshini, Maliç Ndrecaj, Sabit Gashi, Ramiz Lladrovci, Sami Llushtaku, Jonuz dhe Shefqet Musliu, Rrustem Mustafa, Rexhep Selimi, Emrush Suma, Emrush Xhemaili, Gafur Elshani si dhe funkcionari i lartë i PDK-së, Azem Syla i arrestuar së fundi nga EULEX. 

list usa