OEMVP fatmir bytyci mendi qyra

Nëse nuk ka rritje ekonomike konstante mbi 5 për qind në vitet e ardhshme edhe atë me kusht pa huamarrje të re, Maqedoninë pas vitit 2020 mund ta gjej fati i Greqisë. Ky është alarmi të cilin e kanë ngritur nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, sipas të cilëve, kjo politikë e Qeverisë me çdo kusht dëshiron që ta arrijë nivelin e borxhit publik në nivel prej 60% në raport me Bruto Prodhimin Vendor.

“Alarmante është edhe rritja e borxhit, ku neve, brenda 7 vite e gjysmë kemi huazuar afër 2 miliard euro, pothuajse 65% të buxhetit aktual, ose mesatarisht 300 milion në vit duke ja shtuar edhe deficitin vjetor prej 282 milion. Ky fakt, tregon se ne kemi zbrazëtirë financiare prej 580 milion eurove në vit ose 25% të buxhetit duke përfshirë vetëm kreditimin përmes Euro-obligacioneve”, tha nënkryetari i OEMVP-së, Mendi Qyra.

Qëllimi i Qeverisë me rishikimin e buxhetit sipas Drejtorit Ekzekutiv të OEVMP-së, Fatmir Bytyqi, është që të shkurtohen të gjitha linjat buxhetore që kanë efekt të rritjes ekonomike, ndërsa me euro-obligacionin e ri prej 650 milion euro, qëllimi i Qeverisë është që të mbahet paqja sociale.

“Nuk shohim asnjë intencë, asnjë shenjë të kësaj Qeveria e cila thotë se mjetet që vijnë nga akreditimi i jashtëm do të shkojnë në përkrahjen e zhvillimit ekonomik. Nuk e quajmë se kapital i freskët nëse ju paguani me para të akreditimit paguani pensionet, nuk e quajmë para e freskët nëse ju paguani ndihmë sociale”, tha drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Fatmir Bytyqi.

Nga OEMVP kanë demantuar ministrinë e Financave për kinse përkrahjen e pa rezervë që odat ja japin kësaj ministrie, duke thënë se përkrahje pa rezervë ata i japin vetëm “Platformës ekonomike” të saj, të cilën jua ofron gjithë subjekteve politike, e jo praktikave të rritjes së borxhit të jashtëm publik apo trendit të harxhimeve jo produktive.