Gazetari Parim Olluri ka theksuar se qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj, është përcjellë nga shumë skandale.

Ai në emisionin “Debat D Plus”, të RTV Dukagjini, ka thënë se në mesin e vendimeve të Qeverisë së Kosovës, ka edhe vendime pozitive.

“Mendoj se vendim i pritur dhe i mirë ka qenë edhe shtyerja përpara e Projektligjit për Prishtinën, vendimi për ndalimin e vetyrave zyrtare gjatë zgjedhjeve lokale. Më pas projektligji për lejeqëndrim të përhershëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, ka shtuar Olluri.

Sipas tij, kur e analizojmë anën negative dhe atë pozitive të punëve të bëra, atëherë ato të parat peshojnë shumë më tepër.

“Vendimet si rritja e pagave, janë skandal në vete, pasi publiku nuk e ka pritur, që njëri nga vendimet e para me qenë rritja e rrogave për veten dhe kabinetin qeveritar”, ka theksuar Olluri

Sipas tij, njëra nga veprimet e papëlqyeshme të kryeministrit, ka qenë se ai në zyrën e tij ka pritur persona që janë të dyshuar për krim të organizuar.